Muzeu Arkeologjik Durrës, Reflektimi i Mijëra Viteve Histori

Për të gjithë të apasionuarit pas historisë, kulturës, traditës apo monumenteve historike, Triptoalbania.al iu sugjeron të vizitoni një ndër muzetë më të rëndësishëm në vendin tonë, Muzeu Arkeologjik të Durrësit.

Të gjithë e dimë tashmë se Durrësi është qyteti që bashkëjeton mes antikitetit dhe modernitetit dhe është një thesar që asnjëherë nuk lodhesh së eksploruari, jo vetëm në aspektin historik, por edhe në turizëm e kulturë.

E nëse doni të njihni më tepër mbi të shkuarën e qytetit, Muzeu Arkeologjik është ideali. I konsideruar si më i madhi në vend, në të janë të ekspozuara objekte të rëndësishme, përmes të cilave rrëfehen etapat e ndryshme historike që ka kaluar qyteti.

Muzeu Arekeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dy katëshe, duke ekspozuar ato artifakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit. Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet tek Rruga Taulantia, afër Vollgës. I inaguruar në vitin 2015 ka mbi 2 mijë objekte që nga prehistoria e deri në shek IV pas erës sonë.

Sa hyn në këtë muze në pjesën ballore të saj do të gjeni dhe xhevairet e tij, skulpturat e mëdha që janë dëshmitare të këtyre periudhave. Që nga statuja e Geas perëndeshës së tokës e pjellorisë, e gjetur në vitin 2005 në qytetin e Durrësi, tek skulptura e perandorit romak.

Në këtë muze ju do të udhëtoni në tre periudha të rëndësishme, duke filluar me Dyrrahun e 3000 viteve përpara me periudhën prehistorike dhe duke kaluar tek periudha helenistike, si edhe periudha romake. Sigurisht që brenda këtyre periudhave qëndron më së miri edhe periudha ilire, me objektet e saj të veçanta.

 

Periudha Prehistorike

Periudha prehistorike përfshin Dyrrahun e 3000 viteve përpara, e cila është e pasur me artifakte të ndryshme, që nga sopata prej bronxi, e duke vijuar me koka çekiçësh prej guri. Këto fakte historike dëshmojnë së këto treva kanë qenë të populluar nga banorë autoktonë. Duke na konfirmuar edhe njëherë që Durrësi është një nga qytetet më të lashtë në Mesdhe.

 

Periudha Helenistike

Në këtë rrugëtim historik të Muzeut Arkeologjik do të njiheni edhe me periudhën Helenistike, e cila është e pasur me objektet prej qeramike të dizenjuara me figura të ndryshme. Objekte të tilla janë tregues të një zhvillimi kulturor dhe ekonomik të qytetit përgjatë kësaj periudhe. Të gjetura pranë varreve antike që ekzistojnë në kodrat e qytetit të Durrësit, këto objekte mbeten një pasuri e çmuar.

Në këtë takim me historinë do të gjeni dhe 10 fragmente të figurinave të ndryshme që paraqesin hyjninë e Artemisës. E cila njihet si hyjnesha që vigjilonte qytetin në dy drejtime; siguronte mbrojtjen ushtarake të tij si njohëse e natyrës, dhe njëherazi bënte të mundur vijimësinë e popullatës së qytetit nëpërmjet mbrojtjes që ajo u jepte femrave.

 

Periudha Romake

Periudha Romake momentalisht është periudha e fundit që ekspozohet në këtë muze. Kjo periudhë prezantohet me monedhat e prera në Dyrrahun antik, të cilat dëshmojnë zhvillimin e qytetit përgjatë periudhës romake. Në të do të gjeni edhe thesarin e Durrësit, një zbulim i bërë në vitin 1941, pranë pazarit të qytetit. Thesari i takon viteve 170 e.s dhe monedhat e gjetura i përkojnë perandorisë romake.

Duke qenë një vend bregdetar ka bërë që muzeu të pasurohet jo vetëm nga zbulimet e nëntokës, por edhe nga zbulimet nënujore. Aty mund të gjeni spirancat e anijeve dhe amforat e nxjerra nga fundi i detit, të cilat dëshmojnë për tregtinë e zhvilluar gjatë asaj periudhe.

Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer Muzeun Arkeologjik ndër më të vizituarin.

 

Adresa

Muzeu gjendet në “Shëtitoren Taulantia”, pranë “Vollgës”

Orari

Në sezonin turistik, nga 1 maji deri në 15tetor, është i hapur çdo ditë (e hënë – e dielë), nga ora 09:00-19:00. Përgjatë dimrit muzeu qëndron i hapur në orarin 09:00-16:00, nga e marta në të dielë (e hëna është pushim).

 

Discussion about this post

Related Posts