Lugina e Valbonës shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare. Është një prej zonave natyrore më të bukura të Shqipërisë e shpallur Park Kombëtar dhe zë një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Valbona është pjesë e projektit “Parku i Paqes”, i cili përmbledh territore nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Largësia e këtij parku nga qyteti alpin i Bajram Currit është 27 km. Përpara se të vizitoni luginën e lumit të Valbonës do të ndesheni me Vrellën e Shoshanit, i cili gjendet vetëm 3 km larg qytetit të Bajram Currit dhe është ndër burimet më të mëdha ujore në Ballkan. Në lumin e Valbonës derdhet një kanion tërheqës me gjerësi 2-3 m dhe thellësi prej 50 m. Gjatë vizitës në luginën e Valbonës, do të kaloni me radhë disa fshatra. I pari është Dragobia, me shtëpi karakteristike të stilit alpin.
Pas tij, në një shpat mali, aty ku derdhet përroi i Çeremit në Valbonë, ndodhet shpella e famshme e Heroit Kombëtar Bajram Curri. Fshati i fundit përpara burimit të Valbonës është Rrogami, i cili është një vend i thellë, në mes të natyrës së virgjër dhe të paprekur. E gjithë lugina shquhet për një bukuri të rrallë. Nga njëra anë, janë ujërat e kristalta të Valbonës dhe, nga ana tjetër, shpatet e pjerrëta të maleve të veshura me bimësi të gjelbër. Deri në muajin maj mund të vështrosh dëborë të pastër dhe të paprekur, e cila bie në kontrast me ngjyrën e qiellit. Bimësia e këtij Parku Kombëtar përbëhet nga një varietet bimësh dhe drurësh, ku një përhapje mjaft të gjerë kanë, në radhë të parë, formacionet me drurin e hormoqit. Lloji tjetër i bimësisë përbëhet nga ahishtat, rrobulli, arneni, gështenja, arra dhe molla e egër. Po ashtu, mund të gjeni frutat e pyllit, si boronicat dhe luleshtrydhet. Sa i përket faunës, ky park përfaqësohet nga ariu i murrmë, ujku, macja e egër, ndërsa mbi shkëmbinj mund të ndeshësh edhe tufat e dhive të egra. Në ujërat e lumit gjendet trofta e mermertë.
Zona e luginës së Valbonës dhe e parkut njihet për reshjet e dëborës, të cilat normalisht nisin nga fillimi i nëntorit dhe zgjasin deri në muajin maj. Dëbora këtu krijon një shtresë mesatare 1 metër. Në Parkun Kombëtar të Valbonës mund të zhvillohen një sërë aktivitetesh në natyrë siç janë: ekskursionet, ecjet nëpër luginë dhe përrenjtë (Çeremit, Kukajve) sporti i kanoeve në zona të caktuara të lumit, skitë, ngjitjet alpinistike në shpatet e maleve. Valbona mund të shërbejë si bazë edhe për ngjitjet në malin e Jezercës (maja e dytë e lartë në Shqipëri), ecjet me kuaj përgjatë luginës së lumit, si dhe peshkimi sportiv. Në verilindje të saj ndodhet lugina e lumit të Gashit, e cila është një zonë e mbrojtur. Me interes për t’u vizituar janë liqenet akullnajore të pllajës së Doberdol-Sylbicës. Ky udhëtim mund të bëhet me kuaj dhe mund të vizitohet gjatë stinës së verës. Për sa u përket gatimeve karakteristike, në luginën e Valbonës mund të gjeni specialitete të tilla si: mazja, flija, pitja, etj.
Discussion about this post