Vushtrria, qyteti i kalldërmit dhe çajit
Vushtrria është një ndër qytetet më të lashta të Kosovës me fille që nga periudha parahistorike. Ky qytet antik është atraktiv për t’u vizituar sidomos për monumentet historike që janë ruajtur si trashëgimi përgjatë periudhave të ndryshme kohore.
Ky lokalitet daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e Dardanëve. Vushtrria, në kohën e vjetër është quajtur Vicianum-Viciana, një emër ky i lashtë ilir. Gjatë shekujve XV-XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane.
Tani, komuna e Vushtrrisë shtrihet në pjesën veriperëndimore të Rrafshit të Kosovës, në zonën ku afrohen bjeshkët e Shalës dhe Çyqavicës. Territori i komunës përfshin një sipërfaqe prej 345 km2 me rreth 105.000 banorë. Në veri Vushtrria përkufizohet me Mitrovicën, në lindje me Besianën, në jug me Kastriotin, në jug-perëndim me Drenasin dhe në perëndim me Skënderajn. Largësia nga Prishtina është vetëm 25 kilomentra dhe ka një infrastrukturë tejet të përshtatshme për ata që duan ta vizitojnë.
Qytetin e Vushtrrisë e përshkojnë lumi Sitnica, si lumi më i madh që përshkon tejpërtej territorin e Komunës, ndërsa dy lumenj më të vegjël, Tërstena dhe Studimja, kalojnë nëpër qytet, rrjedhat e të cilëve marrin pamje të ndryshme gjatë katër stinëve të vitit.
Vushtrria përmban elemente të ndërtuara përgjatë historisë që qëndrojnë në harmoni me elementet e kohës moderne duke krijuar një pamje të veçantë për ta vizituar.
Përgjatë shëtitjes në qytetin e Vushtrrisë do të mund të shihni objekte që datojnë nga kohërat e lashta. Një ndër to është është kalaja e qytetit e ndërtuar gjatë kohës bizantine dhe që gjendet në qendër, përkatësist në shëtitoren të qytetit. Ajo është rrethuar me kafene e ëmbëltore ku do të mund të uleni e të shijoni kafenë me pamjen e kalasë përballë.
Jo shumë larg nga kalaja ndodhet edhe hamami i qytetit i ndërtuar gjatë shekullit të XV-të dhe që karakterizohet me një arkitekturë interesante. Edhe pse tashmë jofunksional, Hamami është pikë referimi i vizitorëve.
Në pjesën veri-perëndimore të qytetit ndodhet edhe Ura e Vjetër e Gurit. Kjo urë ishte ndërtuar mbi lumin Silnica, mirëpo tani lumi ka ndërruar rrjedhën dhe ura ka mbetur pa lumë. Ndonëse e braktisur nga lumi, Ura e Vjetër e Gurit është një nga monumentet identifikuese të Vushtrrisë.
Krahas këtyre monumenteve, në Vushtrri mund të hasni edhe në elemente të tjera si: Muzeu Historik Etnografik, qezma e qytetit, Muzeu Memorial – Kulla e Azem dhe Shote Galicës, Teqeja e qytetit e xhamitë e vjetra.
Rrugët me kalldërm që mbulojnë një pjesë të madhe të qytetit e bëjnë Vushtrrinë edhe më të veçantë se dhe ia japin epitetin “qyteti i kalldërmit”.
Vushtrria është qendër e ngjarjeve të mëdha kulturore siç janë “Takimet e poteshave Shqiptare”, që është i vetmi festival i këtij lloji në gjithë trevat shqiptare, “Ditët e Hasan Prishtinës” e shumë të tjera.
Qyteti i Vushtrrisë njihet edhe për ushqimin e shijshëm e në veçanti për llokumet tradicionale, suxhukun, qebapët, flinë etj. Kurse pije e preferuar e vushtrriasëve është çaji. Tashmë çaji konsiderohet si karakteristikë e këtij qyteti. Vushtrria numëron më shumë se 20 çajtore dhe që përherë janë të mbushura plot me njerëz.
Discussion about this post