Mes shumëllojshmërisë së ngjyrave të verës dhe mes bardhësisë së borës dimrit, shtrihet Prevalla, fshati turistik i Prizrenit, i cili është larg qytetit vetëm 28 kilometër. Fshati, i kufizuar me male të dendura dhe i gjendur në mbi 1800 metra mbi nivelin e detit, është destionacion i shpeshtë i shumë turistëve që duan të ikin nga përditshmëria e ngarkuar. Prevalla, ofron qetësinë, bashkë me një natyrë të mahnitshme dhe shtëpiza malore që qëndrojnë dyerhapur për të mirëpritur turistët në çdo stinë. Secila stinë tërheq me karakteristikat e veta, por në dimër Prevalla bëhet nikoqire e shumë alpinistëve dhe skiatorëve për shkak të terrenit tepër të përshtatshëm.
Kodrat e pjerrta, janë ideale për skiatorët që duan adrenalinë dhe afër fshtatit ka shumë maja të njohura. Maja e Bistrës, e cila gjendet në 2651 metra lartësi mbidetare, është e dyta maje më e lartë në Kosovë pas asaj të Gjeravicës. Aty gjendet edhe një shteg i mrekullueshëm prej 13 kilometrash. Rrugës për në majën e Bistrës, por duke lakuar rrugën në të djathtë gjendet liqeni piktoresk i Konjushkës, i cili është më i larti në gjithë Malet e Sharrit. Liqeni është afërsisht 100 kilometër i gjatë, 70 kilometër i gjerë dhe 50 centimetra i thellë dhe shtrihet rrëzë malit Konjushka.
Gjithashtu, duke përshkuar këtë rrugë mund të shihet edhe burimi i Lumbardhit, lumi që ndan qytetin e Prizrenit në dy pjesë, por vetëm gjatë stinës së verës, sepse bora e madhe e dimrit e mbulon atë. Nëse shkoni në Prevallë do të keni mjatfueshëm kohë për të parë edhe Brezovicën, vendi më i vizituar në Kosovë gjatë dimrit. Prevalla është larg nga Brezovica vetëm 12 kilometër.
Dhe natyra nuk është e vetmja arsye për të vizituar Prevallën.Ushqimi i ofruar në restorantet e vendosura në zemër të natyrës është tipik prizrenas. Madje, në tavolina do të keni edhe pjata me ushqim të freskët të natyrës së Sharrit të përgatitura nga receta të vjetra po aq sa malet e Sharrit. Krejt kjo falë florës dhe faunës së pasur të Parkut Kombëtar të Sharrit. Prandaj, vizita në Prizren antik është e paplotë po s’gjetët kohë për t’u ngjitur në Prevallën e lashtë.
Discussion about this post