Destinacion i dëshirueshëm për ta vizituar vazhdon të mbetet edhe Veriu i Kosovës. Atje ndodhet qyteti i Mitrovicës, ku nga kosovarët vizitohet shumë shpeshë për lumin që ka dhe për bukuritë që e rrethon qytetin. Uji dhe mali ta japin freskinë në kohë të nxehta të Verës dhe ju mund ta shfrytëzoni lumin Ibër për tu larë dhe në mbrëmje ju mund ta shijoni qëndrimin atje, ngase jeta e natës është e jashtëzakonshme pë ata të cilët duan të relaksohen nën tingujt e muzikës që organizohet çdo mbrëmje.
Qyteti i Mitrovicës, shtrihet në pjesën veriore të territorit të Kosovës. Ky qytet përmban si objkte ashtu edhe vlera të panumërta kulturore që e bëjnë të veçantë për t’u vizituar. Pozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullzohet qysh në parahistori. Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb prej kohës antike deri në Mesjetë, pastaj Trepça si vendburim i madh i plumbit, klima e përshtatshme, kushtet e mira për t’u marrë me bujqësi, blegtori, tregti etj., kanë ndikuar në koncentrimin e popullsisë në këtë mjedis. Pra motive ekonomike për themelimin e vendbanimeve dhe për përqëndrimin e popullsisë në këtë trevë, para së gjithash, kanë qenë blegtoria, bujqësia, gjuetia e më pas edhe xehetaria në fillim e zhvilluar në masë modeste për t’u bërë më vonë një ndër shkaqet kryesore të depërtimit romak dhe pushtuesve sllavë, osmanë etj, në këtë anë. Kjo trevë, sikurse pjesët e tjera të Gadishullit Ilirik, në lashtësi kanë qenë e banuar me banorë ilirë, përkatësisht fisin dardan.
Komuna e Mitrovicës shtrihet në fushën në mes të lumenjve Ibër, Sitnicë dhe Lushtë si dhe në shpatijet e kodrave që e rrethojnë. Qyteti i Mitrovicës është një nga shtatë qendrat më të mëdhaja ne Kosovë, në komunën e Mitrovicës Jugore banojnë mbi 71.000 banorë. Mitrovica është e banuar nga të dy grupet etnike: shqiptarët dhe serbët që jetojnë në dy rrethe të dallueshme, Jug dhe Veri, që ndodhen në anët e kundërta të lumit Ibër.
Disa nga pikat që mund të vizitoni në Mitrovicë janë:
Ura e Mitrovicës- Kjo urë konsiderohet një ndër objektet ientifikuese të Mitrovicës. Përveç karakterit të saj funksional, ura mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës është shndërruar në një simbol i ndarjes midis shqiptarëve në anën jugore dhe serbëve në atë veriore.
Liqeni i Mitrovicës- Është liqen artificial që gjendet afër qytetit të Mitrovicës. Ky liqen tani është një ndër zonat më të frekuentuara të Mitrovicës. Liqeni që ndodhet përgjatë rrjedhës së lumit ibër, është pikë referimi i vizorëve jo vetëm nga Mitrovica por nga të gjitha vendet e Kosovës.
Hamami i vjetër i qytetit të Mitrovicës– I cili është ndërtuar në shekullin e 17’të nga Zenullah Begu është një prej vlerave më të mëdha të kulturës dhe të historisë në rajonin e Mitrovicës, i cili gjendet në qendër të Mitrovicës.
Muzeu i Mitrovicës- Ky muze është muzeu i dytë më i pasur në Kosovë. Muzeu i Mitrovicës është themeluar në vitin 1952. Ekspozita muzeale është e pasur me fonde të fosileve, arkeologjisë, etnologjisë, historisë, gjeologjisë dhe numizmatikës. Muzeu ndodhet në ish “Shtëpinë e Armatës” që gjendet në qendër të qytetit.
Në Mitrovicë ekziston Shtëpia e Kulturës “Rexhep Mitrovica” e cila ndodhet fare pranë urës së Ibrit. Në shtëpinë e kulturës në Mitrovicë organizohen aktivitete të shumta kulturore dhe në të ka teatër, kinema etj. Mitrovica njihet ndryshe edhe si qyteti i rock-ut. Në Mitrovicë ndodhet shkolla e muzikës rock e cila ka rikthyer kulturën e kësaj rryme muzikore në qytetin e ndarë etnikisht. Ndër të tjerash Mitrovica shquhet edhe për ushqimin e shijshëm e në veçanti për perecat, të cilët janë karakteristikë e këtij qyteti.
Discussion about this post