Nëse do ta vizitoni qytetin e Vushtrrisë, nuk do të mund t’i anashkaloni pa vizituar monumentet historike identifikuese të këtij qyteti. Pa dyshim një nga objektet më të rëndësishme është Ura e Vjetër e Gurit, e cila ndodhet në pjesën veri-perëndimore të qytetit dhe vetëm 100 metra nga qendra.
Kjo urë, ndonëse ishte ndërtuar mbi lumin “Sitnica”,, tani qëndron e “braktisur” pasi lumi përgjatë viteve ka ndërruar rrjedhën dhe tashmë është distancuar nga ura, duke kaluar qindra metra në perëndim. Ura e braktisur nga lumi, e njohur si Ura e Vjetër e Gurit, monument që i ka rezistuar periudhave të ndryshme kohore dhe tani është monument identifikues i qytetit të Vushtrrisë.
Ky objekt, është ndërtuar në mes të antikitetit të vonë dhe në periudhat e hershme të mesjetës. Objekti është infrastrukturor/hidroteknik urban me shumë vlera, është përfaqësuese më tipike e arkitekturës romake. Kjo urë është 160 metra e gjatë, gjashtë metra e gjerë dhe ka 11 harqe. Megjithatë, legjendat thonë, se ajo ka pasur 12 harqe, të cilat janë mbuluar më vonë.
Me vlera të larta të shprehura përmes arkitekturës, Ura e Vjetër e Gurit është pikë referimi e të gjithë atyre që vijnë për ta vizituar qytetin e Vushtrrisë. Megjithatë, edhe pse e quajnë urë e braktisur nga lumi, atë tani më e shoqëron një restaurant që gjendet pranë saj dhe ka ushqime shumë të shijshme, ku ju mund të drekoni në shoqërimin e miqëve tuaj.
Triptoalbania.al edhe më tej do të vazhdoj t´ju mbajë të informuar për të gjitha zonat atraktive, monumentet historike e shumë gjëra interesante që ju ta keni më të lehtë të bëni përzgjedhjen tuaj.
Gazetare: Flonja Haxhaj
Discussion about this post