Tushemishti, fshati si në film! Mikpritës dhe me bukuri të pakrahasueshme

Triptoalbania.al kësaj here ju ka sjellë një nga destinacionet më të bukura turistike në zonën e Pogradecit. Bëhet fjalë për fshatun turistik të Tushemishtit ose fshatin e Teto Ollgës siç quhet ndryshe nga dy filmat e njohur  “Nusja nga qyteti” dhe  “Një shoqe nga fshati”.

 

Tushemishti, fshati turistik që ndodhet 6 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje mahnitëse për të gjithë vizitorët. Shumë afër liqenit, Tushemishti ofron pamje të bukur në çdo stinë dhe plazh mahnitës në stinën e verës.

 

Në brendësi të fshatit gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), kisha e Shën Pandelimonit, por turistët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale dhe starkinkat (mollët) e famshme të zonës. Një nga gjërat më “pikante” në brendësi të fshatit është shtëpia e “Teto Ollgës”, bashkë me bustin që është ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi.

 

Rrugica e fshatit është e njëjtë me atë të rreth 40 viteve më parë, qendra po ashtu. Ato janë rikonstruktuar me mjeshtëri duke ruajtur origjinalitetin. Kushdo që viziton fshatin mund të shohë  e të prekë burimin ku Ollga është rrëzuar, por edhe lumin ku rrëzoi postierin.

 

Lokali në qendër të fshatit aty ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit ka marrë emrin tij. Në shtëpitë e fshatit është ruajtur e paprekur arkitektura e tyre ashtu si kalldrëmet e oborreve dhe saksitë e luleve.

 

Kjo zonë njihet gjithashtu përveç bukurive natyrore edhe për kulinarinë e shumëllojshme që ofron, ku zonjat e shtëpisë përgatisin zahiret e dimrit e ku nuk mungojnë reçelët e glikotë, si dhe punimet artizanale që janë një tjetër mrekulli nga duart e zonjave të zonës.

 

Turistët mund të eksplorojnë që nga natyra, deri tek gatimet për ta shndërruar vizitën e tyre në një eksperiencë mjaft tërheqëse në vendin e mikpritjes. Ky fshat turistik me shtëpi mikpritëse të përshtatura më së miri për turistët, ka krijuar tashmë një simpati të padiskutueshme tek pushuesit vendas e të huaj.

 

Ky origjinalitet, mikpritja e banorëve të zonës dhe klima i rikthen pushuesit në fshatin që thuhet se është ndërtuar mbi ujë. Vizitorët besnikë të fshatit turistik thonë se ai ka ndryshuar për mirë, duke pasur parasysh restaurimet e shtëpive dhe të rrugicave me kalldrëm si edhe ndërtimet e hoteleve.

Discussion about this post

Related Posts