“Syri i kaltër” parajsa natyrore e Shqipërisë

Një nga destinacionet më të bukura natyrore që ka vendi ynë, padiskutim është “Syri i Kaltër”. I konsideruar si një nga perlat e natyrës shqiptare, “Syri i Kaltër”, është  tepër i lakmuar nga vizitorët vendas dhe të huaj, sidomos këta të fundit.

Syri i Kaltër është një vend turistik shumë i bukur që ndodhet pranë rrugës midis Sarandës dhe Gjirokastrës. Një tabelë udhëzuese të drejton për nga Syri i Kaltër. Një ndalesë e vogël për të hyrë në parkun që administrohet nga ndërrmarrja pyjore Delvinë, në një rrugë gjarpëruese, paralel me basenin e madh të burimit. Gjithë uji i ëmbël i burimit rrethohet nga një bimësi e shumëllojshme. Kënga e zogjve, aromat e gjelbërimit dhe fëshfërima e rrepeve mbetet grishëse. Këtu vizitorët e huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike.

Është një luginë shumë piktoreske ku nga një burim i kaltër del një ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit dhe hijes së pemëve. Eshtė burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të gjerë.

“Syri i kaltër” është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të Gjerė

Syri i Kaltër me gjithçka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithçka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për t’i qëndruar pranë.

Për Syrin e Kaltër, ka në rrjedhën e kohës rrëfime për një dragua dhe vashat e bukura.

Sipas legjendës, në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Askush nuk po mund ta vriste këtë përbindësh derisa një ditë një plak i mençur thonë se ngarkoi gomarin e tij me ashkë të ndezur, të cilin kuçedra e gëlltiti me një frymë por ashka e dogji përbrenda dhe nuk mundi të mbijetonte. Por legjenda thotë se nga syri i këtij dragoi buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë sot e kësaj dite dhe mban emrin “Syri i kaltër”.

Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës.

Veç natyrës së bukur është edhe mikëpritja e vendasve, gastronomia karakteristike e krahinës, qetësia e natyrës që e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore.

Discussion about this post

Related Posts