Syri i Ciklopit eshtë bërë një nga destinacionet më relaksuese të turizmit në Tiranë. Kjo perlë natyrore e fshehur në Krrabë tërheq çdo ditë vizitorë dhe adhurues të aventurës që duan të eksplorojnë natyrën e egër.
Kataraktet e vogla të rrethuara nga formacione shkëmbore krijojnë një panoramë që vështirë ta hasësh diku tjetër.
Syri i Cikllopit ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës.
Përvec pamjes mahnitëse, Syri i Ciklopit ofron dhe mundësinë për të bërë plazh gjatë ditëve të nxehta. Një tjetër avantazh i këtij destinacioni është afërsia me Tiranën ku mund të shkohet me mjete të lira transporti.
Por dhe peizazhi fare i virgjër natyror rreth e përqark, nuk është më pak mahnitës.
Një degë e Lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një peizazh përrallor. Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës.
Çfarë thotë legjenda?
Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre. Shkurtimisht kjo legjendë flet për një bishë të stërmadhe (pothuaj të gjitha legjendat shqiptare kanë një gjigand apo një ciklop), e cila e përndjekur nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve. Si të gjitha legjendat që trupin dhe kokën i kanë në imagjinatë por këmbët i kanë të ngulura fort tek e vërteta, edhe në këtë rast, shihen disa gërvishtje të thella në shkëmb dhe liqenin e mrekullueshëm në formë zemre. Sipas legjendës Cikllopi gjatë një përleshje me bishën ra në greminë dhe humbi syrin dhe zemrën e tij. Syri dhe zemra kanë krijuar basene me ujë të ftohtë, ku arrinë në thellësi prej 5 metrash.
Si të shkosh?
Për të shkuar te Syri i Cikllopit duhet të kalosh nëpërmjet një rruge të ngushtë, të ecësh rreth një orë nga fshati Krrabë. Mbase rruga mund të duket e vështirë, por pamja që të ofrohet ja vlenë lodhja. Udhëtimi kërkon një shpirt aventurier dhe të jesh në gjendje të ecësh në këmbë për një orë. Përveç pamjes mahnitëse, aty mund të bëni banjo dielli dhe të notoni në ujërat e kaltër në pishinat natyrale.
Adresa
Ndodhet në fshatin Krrabë, përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan.
Këshilla:
Nëse e vizitoni për herë të parë, nevojitet një guidë lokale për t’ju çuar atje.
Discussion about this post