Sinan Pasha, xhamia ikonike e Prizrenit

Xhamia madhështore e Sinan Pashës, është ndër objektet simbolike që i japin identitetin Prizrenit. Në këtë qytet xhamish, ajo zë vendin më kryesor dhe jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht për të gjithë besimtarët myslimanë. Xhamia e Sinan Pashës, gjendet në mes të pjesës antike të qytetit dhe është e rrethuar nga kafene që mbledhin turmat e dendura të vizitorëve verës. Në oborrin e saj i’u bëhet vend jo vetëm besimtarëve që shkojnë për t’u falur, por edhe turistëve. Aty gjendet edhe një pazar i vogël me të gjitha sendet karakteristike të Prizrenit dhe një kafene që u shndërrua në të tillë nga një mësonjëtore e vogël teologjie.

Xhamia, u ndërtua në vitin 1615 nga ana e Sofi Sinan Pashës. Ajo është e ndërtuar nga gurë lumorë të latuar, të lidhur me llaç gëlqeror, ndërsa nga ana e jashtme është veshur me gurë të gdhendur. Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, i punuar prej guri. Hajati ka tri kupola dhe para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, i punuar prej guri. Hajati ka tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Sipas tipologjisë xhamia e Sinan Pashës i takon tipit të xhamive me nishë (mihrab) dhe me Hajat (portik) të ndërtuar prej guri, në të cilin gjendet edhe një mihrab.

 

Luftrat  shkaktuan dëme të mëdha edhe te kjo xhami. Në fakt, si e tillë shërbeu deri në vitin 1912 dhe më pas ra në dorën e bullgarëve dhe serbëve, të cilët e shndërruan atë në depo municionesh gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Xhamisë i erdhi goditja e parë e rëndë në vitin 1919 kur u demolua hajati i saj. Në vitet 1968/69 u bë restaurimi dhe pas këtij procesi Xhamia e Sinan Pashës shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale. Në këtë kohë kur edhe në gjithë Kosovën u kthyen sytë pak edhe te rëndësia e objekteve të tilla historike dhe kulturore, u bë konservimi i pikturave murale të Xhamisë së Sinan Pashës.

 

Një restaurim më i madh iu bë në vitet e pasluftës nga një agjensi turke dhe një investim nga UNESCO. Dhe pas gjithë kësaj periudhe të gjatë, në vitin 2011 Xhamia e Sinan Pashës u hap përsëri për besimtarët. Objekti i Sinan Pashës është lehtësisht i aksesueshëm nga të gjitha anët e rrugës, prandaj është domosdoshmëri vizita atje për të parë, përveç orientales, rezistencën e historisë.

Fotografia e Xhamisë së Sinan Pashës bashkë me Urën e Gurit është kartolina më e shpeshtë e Prizrenit përmes së cilës iu bëhet thirrje turistëve nga të gjitha anët.

 

Discussion about this post

Related Posts