Shpellë e kristaltë e Gadimës

Shpella e Gadimës, e kristalizuar dhe e mahnitshme, është një monument dhe pasuri e madhe natyrore në Kosovë. Konsiderohet të jetë një ndër atraksionet më të bukura.

Si monument i natyrës me rëndësi të veçantë, shpella ndodhet në fshatin Gadime e Ulët të Komunës së Lipjanit, rreth 23 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës.

Kjo shpellë është zbuluar në vitin 1967 nga Ahmet Asllani, banor i fshatit Gadime, i cili ishte duke e ndërtuar shtëpinë në vitin 1969 dhe gjatë punimeve duke thyer gurë i ka rrëshqitur dheu dhe ka rënë poshtë dhe e zbuloi shpellën.Pas zbulimit shpella është marrë nën mbrojtje ligjore.

 

Për shkak të vlerave të mëdha, stolive, dukurive interesante dhe pozitës së përshtatshme shpella përgatitet dhe hapet për vizitor në vitin 1976. Është e zhvilluar në një thjerrëz të gëlqerorëve me moshë paleozoike të mermerizuar me dimensione të vogla hapësinore e ndërfutur në rreshpet permo-triasike. Vlen të përmendet fakti, që shpella përbëhet nga stalaktite dhe stalaknite, struktura të varura nga tavani i shpellës në drejtim të podiumit dhe e kundërta.

Kristalet e këtyre aragoniteve paraqiten dhe karakterizohen në forma të ndryshme, të cilat me kalimin e kohës kanë formuar simbole, që iu janë vënë edhe emra si Peshku, Mjekra e Skënderbeut, Gjarpri dhe ajo më e veçanta, Romeo e Zhulieta, e cila paraqet dy kristale që kanë rrjedhur, janë afruar shumë me njëri tjetrin, por që ende nuk janë bashkuar.

 

Këto kristale janë formuar nga kripa e kalciumit e depozituar nga pikat e ujit. Është konstatuar që për tu rritur një stalaktit një centimetër lypse 30,000 vite, nga kjo e dhënë del se shpella është e vjetër disa qindar mijëra vite.

Veçori tjetër e shpellës është liqeni brenda saj me një madhësi prej 15 deri në 25 metra, kurse shpella në total është e gjatë 1500 metra por për vizitorë është e hapur vetëm 1300 metra.  Ju, nëse vendosni me vizituar Shpellën e Gadimës, do ta keni edhe ciceronin që ju flet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht e do ti shihni nga afër pamjet përrallore që ju ofron ky vend.

 

 

Discussion about this post

Related Posts