“Shpella e Mbytjes”, zbuloni misteret dhe pasurinë e saj

Kësaj here Triptoalbania.al ka menduar për ata që kanë shpirtin e aventurës apo i pëlqen ecja në natyrë dhe historia. Bëhet fjalë për “Shpellën e Mbytjes”, një nga shpellat më interesante në periferi të Tiranës. Të gjithë ata që dashurojnë aventurën do duan ta vizitojnë këtë vend për ta prekur nga afër misterin e frikën që rrethon shpellën sipas legjendës.

Shpella e Mbytjes ndodhet pranë fshatit Krrabë të Tiranës. Rruga për në shpellë mund të bëhet me makinë, deri pranë një reparti ushtarak që ndodhet pranë saj. Nga kjo pikë deri tek shpella, është një shteg i cili mund të përshkohet për 15- 20 minuta.

Shpella ka nje thellësi rreth 160 metra dhe lartësi që shkon në vende të caktuara deri në 15 metra. E veçanta e saj është, se ajo ka një diversitet stalaktitesh dhe stalakmitesh që ndryshojnë si nga forma dhe nga ngjyra e bardhë kristali dhe të kuqe e kafe të miksuara në një tabllo mahnitëse.

Hyrja e saj është shumë e vogël, sepse është zenë nga gurët që kanë rënë nga mali, ndoshta kjo është arsyeja e emrit të saj, por brenda, menjëherë pas hyrjes del lartësia reale e shpellës. Në fund të saj ajo përfundon me një kupolë të lartë nga e cila varen dhjetëra lloje stalaktitesh të cilët i japin asaj pamjen e një tempulli. Deri më sot ajo ka qenë shumë pak e vizituar nga dashamirësit e natyrës dhe shumë pak njerëz kanë arritur të futen brenda.

Një guidë vendase do ishte e nevojshme, sepse është shumë e vështirë të gjendet hyrja e saj, për shkak se është pak e fshehur nga shikimi dhe nuk ka shenja që markojnë shtegun për momentin.

Nëse do e vizitoni këtë vend, mirë është të merrni me vete ushqim, ujë e të keni këpucë të rehatshme. Edhe pse udhëtimi për në shpellën e Mbytjes është pak i lodhshëm, është vërtet një destinacion që ia vlen ta përfshini në listën tuaj.

 

Discussion about this post

Related Posts