Një nga rubrikat e Triptoalbania.al është edhe prezantimi i gatimeve tradicionale dhe kësaj here kemi sjellë një nga gatimet tradicionale më interesante të Gjirokastrës.
Bëhet fjalë për qifqinë, një nga gatimet tradicionale më të famshme të Gjirokastrës.
E veçanta e këtij gatimi në fakt nuk lidhet më shumë me përbërësit sesa me mënyrën dhe mjetet e gatimit të saj, madje thuhet se sekreti është te tigani. Tigani i qifqive është me 5 apo me 7gropa.
Qifqitë vite më parë nuk ishin ekonomike për gratë Gjirokastrike pasi donin nga pak, por shumë asortimente.
Madje thuhet se vite më parë qifqitë gatuheshin ekskluzivisht për një grua lehonë (shtatëzënë) që t’u vinte qumështi.
Përbërsi kryesor i qifqive është orizi dhe për të realizuar këtë recetë nevojitet 1 kile oriz, të cilin e shplajmë disa herë, e ziejmë në zjarr të avashëm dhe pasi zihet plotësisht i shtojmë 100 gram gjalp ose vaj dhe e lëmë të ftohet. I hedhim 5 vezë të rahura rëndë, pastaj dhjozëm, piper të zi, kripë dhe pak djathë të grirë dhe i përziejmë të gjitha bashkë.
Me një lugë masën e përgatitur e ndajmë pjesë- pjesë dhe i shtypim lehtë me dorë. Një nga një i vendosim në gropat me vaj të tiganit. Deri sa të skuqen i kthejmë nga të dy anët.
Qifqitë sot janë gatimi tradicional i Gjirokastrës ,tradita që është përcjellë brez pas brezi.
Nuk ka turistë vendas apo i huaj që viziton qytetin e gurtë dhe nuk i provon. Eja në Gjirokastër , provo qifqitë ” çtë haç” thonë Anetë do lëpini dhe gishtat .
Discussion about this post