Saranda, “perla” e jugut tërheq vëmendjen e turistëve

 

Një nga qytetet më të bukura që mund të vizitoni këtë sezon turistik është Saranda. Plazhet e jashtëzakonshme, pamja, vendet historike, ‘Syri i Kaltër’ apo Butrinti, janë disa nga arsyet që Saranda po konsiderohet si një nga vendpushimet më moderne në rajon që ofron shumë atraksione për vizitorët.

Triptoalbania.al ka udhëtuar drejt këtij qyteti bregdetar për tju treguar se çfarë ofron ky qytet dhe pse është kaq shumë i preferuar nga turistët.

Nuk ndodh shpesh që të gjesh në të njëjtin vend site arkeologjike shumë të lashta, të rrethuara nga një det shumë i bukur, ku banojnë njerëz mikpritës në një klimë të jashtëzakonshme. Kjo është Saranda një qytet bregdetar, që shtrihet buzë Detit Jon në jug të Shqipërisë, afër kufirit me Greqinë, një vend që ka plazhe të mrekullueshme.

Saranda është një parajsë e vogël që i ka të gjitha kushtet për të kaluar një pushim të mrekullueshëm si plazhet me gurë të vegjël natyral, një det të mrekullueshëm të kaltër, si dhe me pamje të jashtëzakonshme që të lë pa frymë.

Mund të themi se Saranda është një ndër të paktat qytete që pjesën më të madhe të vijës bregdetare Brenda qytetit e ka plazh publik.

Nëse do vizitoni Sarandën duhet të planifikoni të rrini disa ditë, pasi bukuritë që ky qytet ofron janë të shumta dhe nuk do mjaftonte për ti eksploruar të gjitha.

Ajo që vumë re gjatë udhëtimit tonë është se ky qytet ishte i mbushur plot me turistë e kryesisht të huaj. Kudo në rrugët e Sarandës dëgjoje të flisje gjuhë të ndryshme, ndryshe nga disa vite më parë.

Në këtë artikull unë do përmend disa nga gjërat që duhen bërë shkurtimisht në Sarandë dhe më pas në artikuj të tjerë do ndalem më gjatë në secilën nga gjërat që duhet të vizitoni.

Saranda sigurisht fillimisht zgjidhet për plazhet, të cilat e vendosni vetë nëse do të bëni plazh në qytet apo në ishujt e Ksamilit. Uji i pastër dhe i kristaltë e bën këtë vend magjik.

Përveç bukurisë së plazheve dhe detit, Saranda është gjithashtu shumë interesante nga pikëpamja arkeologjike, me praninë e qytetit antik të Butrintit. Saranda është një destinacion ende mjaft i lirë krahasuar me pjesën tjetër të Evropës dhe kjo është një arsye tjetër që tërheq shumë turistë.

Saranda ka edhe një zonë të rëndësishme arkeologjike: qyteti antik i Butrintit. Ky vend ndodhet pasi kalon qytetin dhe përmban dëshmi historike me vlerë të madhe. Në Butrint ekziston një amfiteatër klasik me kolona të lashta, rrënoja të vjetra romake, një bazilikë, duke dëshmuar kalimin e popujve të ndryshëm. Zona arkeologjike gjendet në një pyll që është Parku i Butrintit është gjithashtu i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit global, sepse përfshin 14 lloje kafshësh dhe 16 bimët në rrezik zhdukjeje.

Një zonë tjetër që duhet parë pranë Sarandës është Syri i Kaltër, që gjendet rreth gjysmë ore larg qytetit. Është një burim i fshehur rreth 50 metra i thellë me ujë shumë të ftohtë. Uji krijon flluska në sipërfaqe duke dhënë një shfaqje unike. Më të guximshmit zhyten në ujërat e Syrit të Kaltër, megjithëse është e ndaluar.

Një tjetër vend shumë i bukur në afërsi të Sarandës është edhe Ksamili, i cilësuar edhe si Maldivet e Shqipërisë. Një parajsë e vërtetë e formuar nga shumë limane, i mbuluar me ujë të pastër kristal dhe tre ishuj që mund të hulumtohen me një varkë me pedale.

Manastiri i Mesopotamit ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mespotam, fare pranë Finiqit. Ne fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar Kisha e Shën Kollit, mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin i IX Monomaku. Kisha e Shën Nikollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin.

Finiqi është vendbanim i lashtë i njohur me emrin FOINIKE. është kryeqyteti i Kaonisë. Mendohet të jetë formuar si qytet në shekullin e V-të, para Krishtit.

Një tjetër gjë që duhet vizituar patjetër është edhe Kalaja e Lëkursit, e cila ka një pamje të mrekullueshmë. Nga kjo kala e gjithë Saranda duket magjike, sidomos gjatë natës.

E çmund të them tjetër për Sarandën? Ju mbetet veç ta vizitoni dhe të shijoni nga afër të gjitha këto bukuri që ky qytet ka.

Discussion about this post

Related Posts