Njihuni me Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda” , një thesar i fshehur arkitektoror dhe shpirtëror, i ndërtuar rreth 20 minuta në distancë nga Shkodra, në fshatin e vogël të Kuklit në afërsi të Bushatit.
Në një kodrinë të vogël të gjelbëruar është e vendosur kisha e fshatit e projektuar 100 vite më parë , dhe ku shërbesat i mbajti famullitari dhe poeti I madh I letrave shqipe Ndre Mjeda.
Po në këtë kohë është ndërtuar dhe shtëpia e banimit (qela) sot shtëpi muze. Aty në Kukël ai shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij-perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra”. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve1921-1924 kur qe deputet i parlamentit të parë shqiptar.
Në këtë fshat çdo gjë duket ndryshe, mban era kulturë dhe histori dhe dëshmi e kësaj është pikërisht kjo qëndër muzeore.
Pas komunizmit të ashpër dhe demokracisë së brishtë ky fshat u zymtua dhe kisha dhe banesa u amortizuan. Por, në vitin 2011 falë këmbënguljes së Dom Nik Ukgjinit dhe angazhimit të arkitektit Zef Çuni, inxhinierit të Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Çesk Gjuraj, si dhe këshillave profesionalë të dhënë nga arkitekti, Artan Shkreli, këtu çdo gjë u transformua duke ruajtur vizionin e arkitektit dhe poetit Ndre Mjeda.
Punimet në qendrën muzeore “Ndre Mjeda”, janë zhvilluar në shumë drejtime. Puna kryesore ka qenë restaurimi i kishës, duke e kthyer në identitetin e saj fillestar të ideuar dhe ndërtuar nga vetë poeti Mjeda, në vitin 1913. Punimet e zhvilluara, në muret e jashtme të kishës, si: pjesa ballore e stilit neoklasik, froni, kolonat, rozeta etj., të cilat janë në një harmoni arkitekture të përsosur, me koloritin e tyre, kanë sjellë pamje të shkëlqyer.
Ajo, çfarë përbën një lajm shumë me interes, janë punimet restauruese, të zhvilluara brenda objektit të Kishës
Por, njohësi më i mirë i Ndre Mjedës, i cili ka botuar 9 vëllime, kushtuar poetit, mjedologu I ndjere , Mentor Quku theksonte se kisha e Kuklit mund të quhet, një objekt kulti, ku Mjeda, me anën e kodeve arkitekturore, ka shpalosur, krenarinë e dhimbjen e kombit tonë.
Simbolikë e fortë është dhe shtatorja e Ndre Mjedës në krye të qëndrës muzeore. Poeti është paraqitur në mënyrë jashtëzakonisht të qëlluar për arsye se janë marrë të gjitha ato tiparet e poetit Ndre Mjeda, edhe karakteristikat e tij të fytyrës, të duarve, qoftë edhe të veladonit, i cili ka edhe simbolin e veladonit që kanë mbajtur priftërinjtë në atë kohë, sidomos poeti Ndre Mjeda dhe pastaj është edhe simboli i një kambane, e cila ka porosinë e vet në çdo kohë.
Në atë kohë kambanat e kishin porosinë të jepnin kushtrimin, mbledhja e popullit, ardhja ose ftesa e popullit për të ardhur në kishë, siç ka qenë zakon përpara dhe kështu që në kohën e sotme, normalisht që ka gjithmonë simbolin e vet sepse na thërret, i thërret ndërgjegjes së shqiptarëve që t’i rikujtojnë këta rilindës, të cilët vunë themelet e çdo gjëje shqiptare. Përmes faktikisht Zadrimës, ai ka parë ose ka soditur gjendjen e të gjithë shqiptarëve sepse ai ka qenë një person që e ka njohur dhe historinë.
Pas peripecive të shumta dhe kalvarit që kaluan besimet fetare, e posaçërisht kisha në Shqipërinë komuniste, në shekullin e ri Kukli po e rigjen veten në tërë përmasën e tij shpirtërore, historike e kulturore. Në sajë të punës këmbëngulëse të famullitarit Dom Nikë Ukgjini, të mbështetjes nga Arqipeshkvia e Shkodrës dhe Bashkia Vau Dejes si dhe nga një numër përherë e më i madh dashamirësish e dhuruesish, me kompleksin muzeor “Ndre Mjeda”.
Në qëndrën muzeore Ndre Mjeda janë 4 dhoma normalisht kryesorja është ajo ku Ndre Mjeda ka jetuar për 8 vite me radhë. Dhoma është shumë origjinale, është ruajtur edhe tavani siç ka qenë, në krahasim me dhomat e tjera që nuk ka qenë e mundur të ruhen, pra ka qenë e pamundur dhe me dërrasa. Aty zë vend tavolina e tij në të cilën janë rishkruar të gjitha veprat e tij sepse siç dihet, ai ka filluar të shkruajë derisa ishte student qoftë në Torino, pra në Kieri afër Torinos në Itali, pastaj ka vazhduar të shkruajë derisa ishte në Kremona të Italisë, pastaj në Poloni derisa ishte me studime teologjike dhe të gjitha ato veprat që ai ka shkruar atëherë, faktikisht me ardhjen këtu në Kukël, nga viti 1923 dhe në vazhdim, sepse ai ka ardhur përpara, i ka rishkruar të gjitha veprat, i ka ribotuar të gjitha, pra qoftë duke i plotësuar, qoftë duke i kryqëzuar disa fjalorë të tij, qoftë gjërat e tjera. Kështu që, i gjithë aktiviteti i tij 30-vjeçar është i përqendruar te kjo dhomë dhe këtu janë përplasur mendimet e tij, idetë e tij.
Në pjesën ballore të dhomës është nëna e tij që me siguri ka luajtur rol të rëndësishëm për edukatën e tij, pra për shkollimin e tij dhe shumë ndihma të tjera.
Por kur përmendim Mjedën, ka edhe një tjetër personazh që lidhet ngushtësisht më të, ai është profesor Mentor Quku, që ka studiuar veprën e Mjedës, ndërkohë që në muzeun e Mjedës në Kukël, një dhomë e këtij muzeu i kushtohet pikërisht atij.
Discussion about this post