Qendra historike Gjirokastër, vendi ku turistët dashurohen me shikim të parë

Sa herë përmendet shprehja “qyteti i gurtë”, të gjithëve padiskutim na vjen në mendje qyteti i bukur i Gjirokastrës. Triptoalbania.al kësaj here ka ndalur në qendrën historike të Gjirokastrës ose të njohur ndryshe si Qafa e Pazarit apo pazari i Gjirokastrës.

Sapo hyn në këtë Pazar, ajo që të bien ë sy tashmë është rijetësimi i këtij pazari, duke nxjerrë në pah bukurinë e tij, si dhe vlerat historike dhe kulturore.

Rrugët me kalldrëm e sidomos “qilimi” i gurtë, janë udhërrëfyesit e kësaj qendre historike, e cila po kthehet gjithnjë e më tepër në një zonë shumë të frekuentuar.

Edhe sot që në kemi ardhur për ta vizituar edhe pse orët janë të vona, ky Pazar është i mbushur plot me turistë. Madje qendra historike e Gjirokastrës është zona e preferuar e turistëve.

Kjo sepse prej aty kanë mundësi të eksplorojnë monumentet e kulturës si shtëpia e Skëndulatëve apo kulla e Babametove dhe sigurisht edhe kalanë hijerëndë.

Pazari karakteristik i Gjirokastrës, tashmë është kthyer gjithashtu edhe në një nga atraksionet turistike dhe qendër e bizneseve turistike, nga më uniket në rajon.

Është një nga 8 lagjet më të vjetra të Gjirokastrës, që shtrihet si një rreze poshtë mureve të Kalasë.

Pazari i Gjirokastrës është në rikonstruksion të vazhdueshëm për shkak të vjetërsisë dhe statusit monumental që ka në trashëgiminë kombëtare e botërore të Unesco-s. Pazari në formën që ka sot është ndërtuar reth 500 vjet më parë. Fillesat i ka brenda mureve të kalasë që identifikonin qytetin e Gjirokastrës. Me rritjen e popullsisë familjet u detyruan të dalin jashtë mureve rrethuese të kështjellës së Gjirokastrës duke hedhur themelet e para të konstruksioneve tregtare. Vjetërsia e pazarit të Gjirokastrës përmendet në dokumentat e udhëtarëve të njohur të pas mesjetës.

Fasadat e shtëpive përreth ofrojnë estetikisht një pamje interesante të ndërtimeve mesjetare, ndërsa dyqanet e shperndara në rrugën e Pazarit ofrojnë shumëllojshmëri objektesh e shërbimesh. Kalldrëmi karakteristik është një nga elementet më të bukur të pazarit që është pasuruar kohët e fundit nga zbulime të ndërtimeve të vjetra nën rrënojat e shtëpive që po restaurohen.

Gjatë rijetëzimit të tij u restauruan fasada, mure, çati, vetrata, taraba, ndriçuesit e kompleksit karakteristik, duke i dhënë një start pozitiv tregëtisë, zejtarisë, artizanatit, hotelerisë, haneve, bujtinave të lëna për dekada jashtë derës së “shtëpisë” së tyre.

Gjirokastra bën pjesë në mesin e qyteteve të rralla në Ballkan, të cilët kanë ruajtur këtë veçanti arkitekturale osmane dhe sapo largohesh nga ky qytet, je gjithmonë e mendimit që ta vizitosh sërish nuk është asnjëherë ide e keqe. Më besoni, kjo që sapo thashë është e vërtetë!

 

Discussion about this post

Related Posts