Qyteti i bukur i Prizrenit, nuk do ta merrte këtë epitet pa lumin që e ndanë në mes qytetin në pjesë thuajse të barabarta. Ajo çka e bënë më të veçantë Lumbardhin e Prizrenit, të njohur ndryshe edhe si Bistrica, janë objektet kulturore historike, në të dy anët e lumit, duke u bërë kështu më i frekuentuari nga vizitorët që shkelin kalldrëmin e tij. Lumbardhi, rrjedhë përgjatë Maleve të Sharrit nëpër fshatrat e Sreckës dhe pasi kalon përmes Prizrenit derdhet në Drinin e Bardhë. Ai është i gjatë 35.5 kilometra dhe ka një sipërfaqe të pellgut prej 279 kilometër katror.
Hijeshi Lumbardhit, i japin urat karakteristike të Prizrenit të ndërtuara mbi të, që lidhin dy pjesët e qytetit. Ura e Gurit si ndër urat më të vjetra në Kosovë përbënë një monument të trashëgimisë kulturore. Poshtë saj, në të dy anët, janë shkallët që të çojnë deri poshtë në lumë për të shijuar edhe më afër freskinë që sjell ai. Ndërkaq, në anën lindore të Urës së Gurit gjendet Ura e Arastës, derisa në atë perëndimore Ura e Naletit.
Kjo e fundit e bëri Prizrenin të ngjajë edhe me Parisin apo Romën për të gjithë çiftet e dashuruara të cilët duan që dashuria e tyre të rrjedhë po aq gjatë sa rrjedha e Lumit të Bardhë. Ura e Naletit, që nga viti 2015 mban emrin “Ura e Kaltër e Dashurisë”, e cila përbënë një atraksion në vete për Prizrenin.
Banorë e turistë shkojnë atje për të kurorëzuar simbolikisht dashurinë e tyre, duke e hedhur çelësin në lumë. Anët e urës, tanimë janë të mbushur me drynë dhe emra çiftesh. Lumbardhi, gjatë festivalit të filmit “DokuFest” shndërrohet në kinema me ulëse mbi lumë të cilët shohin filmat apo dokumentarët e prezantuar në ekrane që po ashtu janë të vendosur mbi lumë.
Kjo kinema u emërua “Kino Lumi” dhe për herë të parë u shfaq në edicionin e 8-të të “DokuFestit”. Kinemaja, nën qiellin e hapur u bë ndër më të preferuarat për filmdashësit dhe përveçse kësaj mori edhe vëmendje ndërkombëtare. Afër Lumbardhit, gjenden gjithashtu një numër i madh kafenesh. Duke qëndruar pranë tij fare lehtë mund të shijoni pamjen e kodrës ku qëndrojnë shtëpitë e vjetra njëra mbi tjetrën, Kalanë e Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës apo Hamamin e qytetit.
Rrjedha e tij në drejtim të Reçanit do t’iu çojë në vendet e mrekullueshme të natyrës ku janë të ndërtuara restorante dhe vende relaksi për secilin vizitor që do të shohë edhe këtë pjesë të Prizrenit. Prandaj, ju rekomandojmë ta vizitoni Prizrenin antik dhe të kënaqeni duke shijuar të gjitha gjërat e bukura që ai posedon.
Discussion about this post