Plazhi i Golemit, një nga plazhet që tërheq numrin më të lartë të turistëve

Në kulmin e sezonit turistik veror, një tjetër plazh që vjen si sugjerimi ynë është edhe plazhi i Golemit, i cili është mjaft i preferuar nga turistët si vendas ashtu edhe të huaj. Zona e Golemit është njëra nga destinacionet kryesore për pushime, me plazhin e gjatë, ku janë ngritur shumë objekte turistike, hoteliere, shtëpi pushimi, “fshatra turistike” etj.

 

Ky fshat në 25 vitet e fundit ka përjetuar zhvillim shumë të shpejtë urban dhe mund të konsiderohet si një nga zonat turistike më të mbipopulluara, veçanërisht gjatë sezonit turistik, por i vizitueshëm edhe gjatë gjithë vitit.

 

Në vitet e fundit në pyllin me pisha janë ndërtuar shumë kapacitete turistike e hoteliere.

 

Plazhi i Golemit është zgjatim i plazhit të Durrësit e të Malit të Robit, kurse e pason plazhi i Qerretit. Është nga plazhet më të mëdha në Shqipëri, krahas atij të Durrësit, në gjatësi rreth 5 km. Ky është nga plazhet më të vizitueshme, më të parapëlqyera, sidomos nga pushuesit që vijnë nga Kosova e Maqedonia. Shumë plazhe të Shqipërisë, sidomos vija e pashkëputur e plazheve që nga Durrësi deri në Qerret, në 30 vjetët e fundit fillluan ta zhvillojnë turizmin me pushues nga Kosova e Maqedonia, i quajtur edhe si turizëm patriotik.

 

Në pesë vitet e fundit gjendja sikur ka ndryshuar paksa; shqiptarët nga Kosova e Maqedonia gjithnjë e më shumë po orientohen nga plazhet e veriut, në Shëngjin e Velipojë, kurse në plazhet e Durrësit, Malit të Robit, Golemit e Qerretit po shtohen turistë të huaj, që vijnë nga shumë shtete të rajonit dhe Evropa.

 

Përveç detit dhe diellit plazhi ofron mundësi edhe për shëtitje përreth detit, për sporte ujore dhe argëtim. Të rinjtë dhe fëmijët gjejnë mënyra të ndryshme për t’u argëtuar, sidomos gjatë lundrimeve me barka e me motorë uji. Pishat e mbetura pranë plazhit, ajri i pastër, freskia e detit, qetësia dhe veçanërisht çmimet e arsyeshme kanë bërë që pushuesit ta parapëlqejnë këtë plazh, ku natyra ka krijuar mrekulli. Rëra e pastër, pylli i pishave dhe kaltërsia e detit kanë krijuar mrekulli, harmoni dhe vend tërheqës e shlodhës. Pylli i pishave prej mbi 200 hektarësh, është mbjellur para shumë dekadave dhe është planifikuar si zonë mbrojtëse nga erërat e detit.

Nga viti në vit shënohet rritje e numrit të pushuesve vendës e të huaj. Edhe siguria, kushtet dhe cilësia e shërbimeve gjithnjë e më shumë po përmirësohen.

Discussion about this post

Related Posts