Pazari i Vjetër i Krujës, një ansambël që ruan vlera të padiskutueshme historiko-arkitektonike

Nëse vizitoni qytetin e bukur të Krujës, padiskutim duhet të kaloni dhe të vizitoni pazarin, një nga zonat më të vjetra të historisë shqiptare. Ndryshe “Pazari i Krujës” është zemra e qytetit. Ka gjallëri të njerëzve dhe një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj që e vizitojnë në çdo stinë të vitit.  Brenda pazarit mund të shohësh një seri dyqanesh me suvenire të bukura ku është e pamundur të mos ndalosh gjatë një vizite në qytet. E gjithë hapësira është atraksion i veçantë që përmbush më së miri statusin e një zonë jo vetëm tregtare por edhe muzeale.

Pazari i Krujës është një ansambël që ruan vlera të padiskutueshme historiko-arkitektonike, i cili shtrihet në të dy anët e rrugës me kalldrëm që të çon drejt kalasë së qytetit.

Zona Turistike- Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend.

Ndërtimi i pazarit më të bukur dhe tërheqëse të Krujës daton rreth 400 vjet më parë. Ai është një vlerë e padiskutueshme historike-arkitektonike me rrugët me kalldrëm që të drejtojnë për në kala. Aty nisi tregtia e lirë e tregtarëve më nam të Krujës që ofronin nga punishtet e tyre lloj mallrash.

Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zeje të ndryshme si pajisje prej bakri, qëndistari, punues të armëve, etj.  Aktualisht në dyqanet e këtij pazari  mund të gjendet suvenire të vjetra apo edhe të punuara kohët e fundit, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, qilimave apo ato të drurit. Këtu vizitorët  e huaj kanë mundësi për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit shqiptar si punime në argjend, bakër, qëndistari, bizhuteri, qylyma etj.

Ajo që bie më shumë në sy në këtë Pazar teksa futesh brenda tij janë qeleshet ose siç quhen ndryshe “plisi”, që njihen si një ndër produktet artizanale tradicionale shqiptare, ku pavarësisht ndryshimeve në mënyrën e veshjes, vazhdon të përdoren në raste të ndryshme. Ai më shumë përdoret në rastin e festave të Bajrameve, në gëzime familjare si dasma, festime dhe aktivitete artistike nga burrat shqiptarë, por edhe të rinjtë.  Në afërsi të pazarit është edhe  një xhami e shekullit të XVI-të, e ndërtuar në të njëjtën kohë me atë që ndodhet brenda Kalasë.

 

Me pak fjalë, nëse vizitoni qytetin e bukur të Krujës, përveç kalasë për të cilën do flasim në një tjetër shkrim të Triptoalbania.al ajo që do tju mbesë më tepër në mendje është pazari i vjetër i qytetit.

Discussion about this post

Related Posts