Nga gurët e historisë tek bukuria e pasur kulturore

Gjirokastra, një nga qytetet më të veçanta dhe historike të Shqipërisë, shquhet për një arkitekturë të fortë prej guri dhe një trashëgimi kulturore të pasur. Ky qytet, i njohur si “qyteti i gurëve” është një muze i gjallë që përshkruan historinë dhe kulturën e këtij vendi të lashtë.

Gjirokastra shquhet për arkitekturën e fortë prej guri, me shumicën e ndërtesave të ndërtuara duke përdorur gurë edhe në çatitë e tyre. Shtëpitë tradicionale gjirokastrite janë të ndërtuara në mënyrë të ngjashme me një kështjellë, me shpatullat dhe shkallët e thyera që i japin një pamje të veçantë.

 Përveç shtëpive e ndërtesave të gurta, Gjirokastra ka edhe “Kalanë e Gjirokastrës”, të quajtur ndryshe edhe “Kalaja e Argjiros”, nga emri i princeshës Argjiro, e cila u hodh nga lartësitë e Kalasë, për të mos rënë në duart e pushtuesve. Kështjella ka qenë pjellë e strategjisë mbrojtëse të këtij qyteti gjatë historisë së tij të gjatë, e mbrojtur tani nga Unesco. Vizitorët mund të eksplorojnë këtë qendër historike dhe të shijojnë panoramën e mrekullueshme që ofron ajo. Sipas statistikave shtetërore, kjo Kala, është institucioni kulturor më i vizituari për vitin 2023, në mbarë Shqipërinë.

 Qyteti i gurëve bartë një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, e cila reflektohet përmes Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, ndërtuar në vitin 1966. Ky muze përfaqëson një shtëpi tipike gjirokastrite dhe ofron edhe ekspozitat e tij të pasura me traditën dhe kulturën lokale, duke përfshirë veshjet tradicionale, objektet e punuara artizanale dhe dëshmi të tjera të trashëgimisë shqiptare. Në Gjirokastër, tanimë mund të vizitoni edhe shtëpinë muze, ku ka lindur shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Gjirokastra është vendi ku tradita dhe kultura janë të gjalla nëpërmjet ngjarjeve kulturore dhe festivaleve. “Festivali Folklorik Kombëtar” mbahet çdo 4 vite në Kalanë e qytetit dhe sjell një spektakël të pasur të muzikës tradicionale, këngës dhe veshjeve të zonës, duke e bërë qytetin një destinacion tërheqës për dashamirët e kulturës shqiptare.

Gjirokastra është një qytet që reflekton në çdo gurë të tij historinë dhe pasurinë e Shqipërisë. Me një pamje të mrekullueshme malore dhe një atmosferë të veçantë, ky qytet flet për lavdinë dhe trashëgiminë e një kombi që ka kaluar nëpër shekuj. Për ata që duan të ndjehen një me historinë dhe kulturën shqiptare, Gjirokastra është një udhëtim që nuk duhet humbur.

Discussion about this post

Related Posts