Në Shkodren e traditës, kulturës dhe historisë

Sa herë më kërkohet të shkruaj për Shkodrën në tastierë rëndojnë gishtat dhe përgjegjësia e përshkrimit të një qyteti të “papërshkrueshëm”.

Qyteti i Shkodrës konsiderohet si nyjë me rëndësi gjeo-strategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe pikave doganore që e bëjnë urë me ballkanin perëndimor.

 

Shkodra do të duhej të jetonte dhe zhvillohej me turizëm, ndërsa sa vjen e rritet kjo vetëdije tek qytetaret vendas dhe turistët e huaj. Ajo përshkohet nga liqeni i Shkodrës më i madhi ne Ballkan, rrethohet nga tre lumenj Kiri , Drini dhe Buna i cili derdhet në detin Adriatik në Velipojë.

Në lindje spikasin majat e Cukalit, Maranaj, Sheldisë dhe Taraboshit.   Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nëpër lumenj.

 

Pozita gjeografike e Shkodrës mundëson vizitën e disa lloje peizazhesh në një krahinë jo të madhe. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, e larg Bogës 48 km. Larg Velipojës 32 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 4- 5 km.

Shkoodra spikat për harmominë fetare. Në qendër të Shkodrës me sy të lirë mund të shihen triniteti i Kishes Katolike, Ortodokse dhe minaret e xhamisë.

 

Për shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë bashkëjetuar në paqe njëri me tjetrin pavarësisht rrethanave të kohës, sfidave dhe provokimeve të ndryshme të bëra kryesisht me nxitje nga jashtë në dëm të kësaj harmonie.

 

Kur hyn në Shkodër, qyteti të shfaqet menjëherë,bashkë me Kalanë e Rozafës në kodrën e lartë në sfond e Lumin madhështor të Bunës, më poshtë. Sheshi i qytetit me dy kahë bulevardesh kombinon godinat e reja me ato të vjetra të viteve 1800. Në të djathtë, duket vargu i shtëpive karaktersitike, që përfshin një prej lagjeve më të vjetra të qytetit. Pak më e shkurtër se 1 km, pedonalja shtrihet  e shtruar e gjitha me gurë dekorativ. Nuk ka shumë vite që pedonalja e Shkodrës është kthyer në një nga atraksionet me të vlerësuara të vendit.

 

E projektuar nga arkitekti dhe piktori Kol Idromeno dallohet arktiektura veneciane. Ndërtesa jo shumë të larta me oborre të brendshme, dritare dhe porta të dekoruara deri në detaje dhe ndriçimi romantik gjatë mbremjeve janë disa element të kesaj pedonalje.
Përgjatë kësaj pedonale mund të vizitohet Muzeu Kombëtar Marubi i cili është një thesar i çmuar i fotografisë.

Në Shkodër ka disa muze, siç është ai Historik i vendosur në banesën karakteristike shkodrane të patriotit “Oso Kuka”, muzeu i kalasë i cili përmban kryesisht të dhëna historike, Muzeun e Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës, ish dega famëkeqe e brëndshme e komunizmit e kthyer në muze, dhe  Muzeu Dioqezan me karakter religjoz.

Ndaj përveç turizmit malor apo bregdetar, në Shkodër tashmë po njeh  zhvillim të gjerë edhe turizmi historiko-kulturor, ndërsa resurset janë fantastike në cdo aspekt.

 

 

Pak histori

Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, e themeluar në shek. IV p.e.s. si kryeqendër e fisit ilir të Labeatëve Gjatë historisë së saj ka njohur pushtime të shumta, si ato romake (168 p.e.s.), serbe (viti 1040), veneciane (viti 1396), osmane (viti 1479). Në shekullin XIV u kthye në qendrën e principatës feudale shqiptare të Balshajve dhe gjatë viteve 1757-1831 në kryeqendrën e pashallëkut të Bushatllinjve. Shkodra konsiderohet si një prej qyteteve me një trashëgimi të pasur kulturore, duke qenë vendlindja e një plejade të tërë artistësh, muzikantësh, piktorësh, fotografësh, poetësh dhe shkrimtarësh. Objekti kryesor turistik i qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kalaja ka origjinë ilire. Sipas historianit Tit Livi: “ajo ishte vendi më i fortë i Labeatëve”. Kalaja e Rozafës lidhet me fantazinë popullore. Sipas legjendës, Rozafa, nusja më e re e tre vëllezërve që ngrinin muret e kalasë, u muros me qëllim që kalaja të arrinte të ndërtohej. Uji gëlqeror që rrjedh në hyrje të kalasë lidhet gjithashtu me legjendën popullore, sipas së cilës ai është qumështi i gjirit të Rozafës, i cili gjatë murimit u la jashtë për të ushqyer foshnjën e saj. Trajtën e sotme kalaja e ka marrë gjatë periudhës së sundimit të Balshajve. Ajo ka kaluar periudha të ndryshme, nga të cilat ka gjurmët përkatëse si: veneciane, osmane (shek. XVI-XVII), e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). Me interes të veçantë për t’u vizituar në qytetin e Shkodrës janë: Muzeu Historik, Fototeka “Marubi”, Sahati i Inglizit, etj. Lagjet e Gjuhadolit dhe Serreqit mbartin vlerë historike dhe kulturore, pasi aty gjenden monumente me arkitekturë veneciane. Fare pranë qytetit ndodhet liqeni i Shkodrës, më i madhi në Gadishullin Ballkanik, me sipërfaqe 368 km2 (Shqipërisë i përkasin 149 km2). Karakteristikë e tij është tipologjia e ndryshueshme e brigjeve. Bregu jugor është i lartë dhe shkëmbor, ndërsa ai verior është breg i ulët dhe i llojit të “marsheve”. Në bregun jugor ndodhen edhe dy qendrat kryesore turistike: Shiroka dhe Zogaj. Emërtimi Shirokë lidhet me Shën Rrokun, për nder të të cilit çdo 15 gusht organizohet një pelegrinazh.

 

Discussion about this post

Related Posts