Historia, kultura, tradita, pasuria natyrore, ambienti i ruajtur, toka pjellore dhe shumë më tepër, janë disa nga elementet që e identifikojnë qytetin e Pejës si një vend turistik për t’u vizituar nga turistë nga e gjithë bota në të gjitha stinët e vitit.
Përderisa ndodheni në këtë qytet, është e pamundur të mos tërhiqeni nga kompleksi arkitektonik Mulliri i Haxhi Zekës, një ndërtesë mbresëlënëse arkitektonike dhe aset i trashëgimisë kulturore, i vjetër që nga shekulli XIX, gjerëisht nga periudha e Austro – Hungarisë. Ky objekt i rëndësishëm i përkiste atdhetarit të kombit dhe luftëtarit të dalluar të luftës për pavarësi, Haxhi Zeka. Vite më pas, mulliri vazhdoi të udhëhiqej nga nipi i tij Jashar Pasha.
Në atë kohë, qindra njerëz hynin në këtë ndërtesë, mullirin e parë në Kosovë dhe regjion, i cili punonte me teknologjinë më të përparuar të asaj kohe. Aty ka filluar ekonomia industriale në Pejë. Në të kaluarën, në këtë mulli, i gjithë regjioni ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit. Në vitet e 60-ta, objekti u shndërrua në kuzhinë popullore. Në vitin 1997 u morr në mbrojtje shtetërore, por megjithatë lufta e fundit në vend e shkatërroj atë. Tutje, është restauruar dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit.
Arkitektura e tij vazhdon të mbetet unike. Veçanti kryesore e këtij objekti është lartësia. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë në vend. Edhe pse i vjetër më shumë se 1 shekull, ai posedon 3 kate të përbëra nga mulliri dhe hambari. Fasada është nga guri i kombinuar, tullat, dritaret me harqe dhe kornizat.
Përveç rëndësisë historike që ka, ky vend sot shërben edhe si qendër kulturore. Të gjithë adhuruesit e artit dhe historisë, mund t’i vizitojnë falas galeritë, ekspozitat si dhe të jenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme kulturore. Mulliri, gjithashtu shërben si një qendër informacioni për faunën dhe florën e maleve të Kosovës. Pranë tij, do të hasni në një grup zanatçinjsh që shesin veshje tradicionale shqiptare, artikuj prej lëkure dhe bizhuteri me motive kombëtare.
Discussion about this post