Destinacioni i radhës që Triptoalbania.al rekomandon për ju është fshati Mramor. Ky fshat turistik gjendet në komunën e Prishtinës, në pjesen lindore rreth 15 km larg, në rrugën që të çon për në Gjilan. Jam e sigurt që sapo të shikoni pamjet që Triptoalbania.al ju përcjell nga ky fshat, nuk do ngurroni për ta vizituar menjëherë. Bukuritë natyrore, kodrat rreth më rreth, malet e dendura etj, krijojnë një pamje fantastike të Mramorit, dhe do të mahniteni nga pamja piktoreske. Bukuritë natyrore të kësaj zone, janë të mrekullueshme dhe vendi ideal për ta kaluar një fundjavë.
Shumllojshmëria e florës së bashku me faktorët klimatikë, kanë kushtëzuar një botë shumë të pasur e të larmishme të faunës. Për ti shijuar këto bukuri, juve ju duhet të rrugëtoni vetëm 12 km nga kryeqendra për të arritur atje. Përballë Mramorit gjendet Liqeni i Badovcit, ku do ta ndjeni freskinë dhe do të shijoni me patjetër çdo moment që do të kaloni aty.
Muaji Gusht është muaji ideal për ta vizituar Mramorin. Kur në vendet e tjera të Kosovës mbizotëron vapë e madhe dhe e padurueshme, në Mramor është freskët dhe qëndrimi këtu të jep një kënaqësi të madhe. Nga dritaret e shtëpive dhe nga ballkonet e fshatarëve mramorjanë, duken vazot e mbushura plotë e përplotë me lule prej amvisave, aroma e të cilave është e pa rezistueshme dhe ndihet gjithandej.
Të gjithë ata që e kanë vizituar Mramorin, kanë folur me konsiderata për mikpritjen, bujarinë dhe pastërtinë që kanë banorët e këtij fshati. Banorët e zonës janë të gatshëm për të pritur miq dhe për ti ofruar atyre një pjesë të madhe të produkteve që ata i prodhojnë vetë, si djathin gjizën dhe kosin e deleve dhe shumë gatime e ushqime tradicionale.
Këtu do të keni kënaqësinë të shihni male të larta e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për shëtitje dhe alpinizëm.
Discussion about this post