Besoj që të gjithë ata që lexojnë Triptoalbania.al e dijnë që ne sjellim çdo ditë, materiale të ndryshme, jo vetëm natyrore, kulturore, historike, por edhe traditë, gatime, mënyrë jetese etj. Sot kam vendosur të shkruaj për një nga lagjet më të vjetra dhe më të njohura në Tiranë, bëhet fjalë per Pazarin e Ri.
Pazari i Ri ndodhet në Sheshin Avni Rustemi, 8 minuta larg qendrës së Tiranës dhe është kthyer prej disa kohësh në atraksionin më të ri të qytetit.
Para inagurimit, Pazari i Ri, nuk ishte aq tërheqës, ku tregtarët shisnin produktet e tyre në kushte jo shumë të mira, por që pas restaurimit të tij është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar.
Tashmë Pazari i Ri, përvecse i mirëorganizuar dhe me kushte bashkëkohore është shtuar dhe si atraksion i qytetit për shkak të fasadave unike që kanë ruajtur stilin arkitekturor Italian, dekorimet me motive shqiptare, po ashtu dhe vendosja e disa shesheve për të pushuar, e bëjnë këtë pikë mjaftë tërheqëse.
Që nga dita e inagurimit vizitorët janë shtuar jo vetëm për shkak të ndërtesave të bukura, por edhe për të shijuar një kafe të mirë ose drekë të mirë në nga restorantet që ofrojnë gatime tradicionale pranë kësaj zone.
Pazari i Ri nuk shërben vetëm si një markat ushqimore, ku sigurisht që mund të gjesh perime të freskëta, fruta të freskëta, mish dhe produkte të tjera, por edhe si një zonë ku njerëzit mund të kalojnë kohën e të argëtohen me familjet e tyre ose miqtë. Gjatë fundjavave këtu janë organizuar aktivitete të ndryshe si panairi i artizantëve, koncerte dhe teatro për fëmijët.
Historik
Pazari i Ri mori jetë në vitin 1931 dhe në vitet që pasuan njohu vetëm rritje dhe zhvillim. Ai u krijua si nevojë e shtimit të aktivitetit tregtar i cili nuk mund të përballohej vetëm me Pazarin e Vjetër.
Pas prishjes së Pazarit të Vjetër në vitin 1959, Pazari i Ri mbeti për shumë kohë qendra e vetme, e madhe e tregtisë së mishit, peshkut, perimeve e frutave në Tiranë.
Ky pazar ndodhet në atë zonë të Tiranës, që së bashku me lagjen e Mujos përfaqëson një nga zonat më të vjetra të qytetit.
Edhe sot Pazari i Ri vazhdon të mbetet një nga tregjet më të mëdhenj për tregtimin e mishit, peshkut, perimeve e frutave në kryeqytet.
Pazari i Ri është një hapësirë që funksionon 24 orë, ku paradite fokusi më i madh është tek tregtimi i produkteve dhe pasdite tek çështjet e kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe zhvillimin e aktiviteteve artistike – kulturore si festa, panaire, etj.
Adresa: Sheshi Avni Rustemi, 8 minuta larg qendres se Tiranes
Discussion about this post