Liqeni i Ponarit

Është thjesht një liqen malor, por në momentin e parë kur e shikon të krijohet përshtypja se je në botën e përrallave. Bëhet fjalë për Liqenin e Ponarit, të cilin natyra e ka vendosur mes pishave dhe maleve të larta, që adhuruesit e natyrës ta shijojnë dhe të kënaqen me bukurinë e tij.

I ndodhur në një luginë të vogël, në lartësi mbi detare rreth 1400 metra,  i rrethuar me male të larta majat e të cilave arrijnë deri në 2500 metra, Liqeni i Ponarit apo i njohur edhe si Liqeni i Markajve, bazuar në fshatin e afërt Markaj është njëra nga perlat natyrore jo vetëm të Tropojës e Malësisë së Gjakovës, por edhe të Shqipërisë së Veriut dhe më gjërë. Liqeni i Ponarit është i tillë, që po e vizitove një herë, ai të thërret përsëri.

Është vetëm 8 kilometra larg nga qyteti i Bajram Currit. Deri në afërsi të tij mund të shkohet  përmes një rruge që përshkon bjeshkët dhe malet dhe  vetëm me makina të përshtatshme për terrenet malore. Megjithatë,  bukuria e vizitës së Liqent të Ponarit është udhëtimi në këmbë, udhëtim ky që nga qyteti i Bajram Currit zgjat rreth 4 apo 5 orë në një ecje jo të vështirë por tejet mbreslënëse. Skaj liqenit mund të gjesh edhe disa kasolle barinjsh, të cilat përdoren nga ta gjatë verimeve me bagëtinë. Këto kasolle tejet modeste e bëjnë edhe më epike pamjen e këtij vendi.

Për shkak të pozitës së përshtatshme gjeografike, Liqeni i Ponarit nuk është thjeshtë një vend vetëm për tu vizituar gjatë ditës. Ambienti për rreth mundëson edhe organizimin e kampingjeve të ndryshme. E për adhuruesit e hiking, nga Liqeni i Ponarit mund të vizitohen shumë maja malesh, duke nisur nga ato më të voglat e deri tek maja e Hekurave, në lartësi rreth 2500 metra. Liqeni i Ponarit është i bukur në të gjitha stinët e vitit. Gjatë ditëve të nxehta uji i kristalt i liqenit dhe ambienti i rrethuar me pisha, të japin freski që rrallë mund ta gjesh në ndonjë vend tjetër. Por, ky liqen mund të vizitohet fare mirë edhe gjatë dimrit. Edhe pse rruga deri tek liqeni mund të jetë paska më e vështirë gjatë dimrit, pamja përrallore e liqenit të ngrirë dhe bardhësia e borës të japim pamje fantastike që vështirë mund të përjetohen duke i parë vetëm në foto.

Lokacioni ku ndodhet Liqeni i Ponarit mendohet të ketë qenë njëri prej vendbanimeve më të vjetra të Malësisë së Gjakovës. Thuhet se në Ponar ka disa rrënoja kishash dhe mendohet se nga ky vend ka dale edhe Pjetër Spani, njëri nga prijësit shqiptarë që morri pjesë në Kuvendin e Lezhës në kohën e Skenderbeut. Breg Laci, Breg Doci dhe Nxani janë toponime dhe emra të vjetër që në Ilirinë e lashtë,  të cilat gjenden në afërsi të këtij liqeni.

Gjithashtu thuhet se nga zona ku gjendet Liqeni i Ponarit e kanë zanafillën gështenjat e para të Malësisë së Gjakovës, e të cilat më pastaj janë shpërndarë në të gjithë Malësinë e Gjakovës. Kjo hipotezë forcohet edhe më shumë kur kihet parasysh se kjo pjesë e Malësisë është njëra prej zonave më të populluara me gështenja në tërë vendin.

Duke u bazuar në bukuritë që ofron Liqeni bashkë me zonën për rreth banorët tashmë kanë filluar që të mendojnë edhe për investime. I tillë është rasti i Familjes Nikoci, nga fshati Geghysen jo më shumë se 2-3 kilomentra largë Liqenit të Ponarit. Musa, bashkë me dy djemt e vet pas migrimit në Tiranë, tashmë janë kthyer në fshatin e tyre për të investuar në ngritjen e bujtinës – hotelit “Chestnut Hill” – Kodra e Gështënjave. Kjo bujtinë që tashmë është bërë tejet e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj, ka arritur që ta promovojë edhe më shumë zonën, përfshirë këtu edhe Liqenin e Ponarit dhe bjeshkët e bukura rreth tij.

Liqeni i Ponarit, bashkë me  zonën e Malësisë së Gjakovës, me majat e larta, pyjet e gjelbëruara dhe burimet e shumta me ujëra Kristal, mbetet një destinacion i domosdoshëm dhe shumë i rekomanduar për tu vizituar.

Gazetar: Artan Haraqia

Discussion about this post

Related Posts