Lini, fshati buzë liqenit të Ohrit që të lë pa fjalë

Nëse udhëtoni drejt Korçës apo Pogradecit, padiskutim ju ka rënë në sy një ndër fshatrat më të bukur turistikë buzë liqenit të Ohrit. E kam fjalën për fshatin turistik të Linit, i cili të mahnit që në pamje të parë që e shikon. Mund të themi se me fshatin Lin mund të jetë një dashuri me shikim të pare dhe sa më shumë afrohesh drejt tij, aq më tepër kuriozohesh për ta njohur e për të ditur më shumë rreth tij.

Fshati Lin është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.

Fshati Lin, me përafërsisht 1200 banorë, është pjesë e Njësisë Administrative Udënisht, Bashkia e Pogradecit. Ndodhet 110 km larg Tiranës dhe 20 km larg Pogradecit.

Pozita gjeografike, ndërtesat karakteristike, monumentet e shumta kulturore, mikpritjen dhe kulinaria e pasur me gatime tradicionale e bëjnë Lin një vend shumë interesant për turizëm.

Vitet e fundit ky fshat është kthyer në një nga fshatrat e preferuar për turistë të shumtë e sidomos ata të huaj, të cilët e vizitojnë brenda ditës, apo edhe për ditë të tëra për të shijuar qetësinë, ajrin e pastër apo peisazhin që ky fshat ofron.

Aktivitetet kryesore ekonomike në këtë fshat përfshijnë peshkimin, bujqësinë dhe turizmin.

Shumë banorë ruralë po kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina për turistët dhe kështu po rritin jo vetëm të ardhurat ekonomike, por edhe krijimin e një zinxhiri të vlerave për produktet e tyre bio bujqësore.

Ekziston gjithashtu potencial për të promovuar aktivitete të tilla si: kalërimi, ecjet e gjata, vizita e vendeve historike dhe deri tek gatimet tradicionale.

Nëse doni ta shijoni më tepër, unë do ju këshilloja të bënit edhe një xhiro me varke për të parë të gjitha brigjet e liqenit anë e mbanë.

Por ajo që mua personalisht më la më tepër mbresa është ngjitja për në Bazilikën e këtij fshati, ku peisazhi të lë pa fjale. Madje sipas gojëdhënave, kur në këtë vend mbërritën rreth 2000 vjet më parë ushtarët e Julius Cezarit, bërtitën me të madhe Lyhnidas që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

Bazilika paleokristiane është pjesë e trashëgimisë kulturore të fshatit, po kështu dhe mozaikët e Linit, të cilët ndodhen në majë të  kodrës së Shën Thanasit dhe nga një studim i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.

Discussion about this post

Related Posts