Nëse udhëtoni drejt Korçës apo Pogradecit, padiskutim ju ka rënë në sy një ndër fshatrat më të bukur turistikë buzë liqenit të Ohrit. E kam fjalën për fshatin turistik të Linit, i cili të mahnit që në pamje të parë që e shikon. Mund të themi se me fshatin Lin mund të jetë një dashuri me shikim të pare dhe sa më shumë afrohesh drejt tij, aq më tepër kuriozohesh për ta njohur e për të ditur më shumë rreth tij.
Fshati Lin është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër.
Fshati Lin, me përafërsisht 1200 banorë, është pjesë e Njësisë Administrative Udënisht, Bashkia e Pogradecit. Ndodhet 110 km larg Tiranës dhe 20 km larg Pogradecit.
Pozita gjeografike, ndërtesat karakteristike, monumentet e shumta kulturore, mikpritjen dhe kulinaria e pasur me gatime tradicionale e bëjnë Lin një vend shumë interesant për turizëm.
Vitet e fundit ky fshat është kthyer në një nga fshatrat e preferuar për turistë të shumtë e sidomos ata të huaj, të cilët e vizitojnë brenda ditës, apo edhe për ditë të tëra për të shijuar qetësinë, ajrin e pastër apo peisazhin që ky fshat ofron.
Aktivitetet kryesore ekonomike në këtë fshat përfshijnë peshkimin, bujqësinë dhe turizmin.
Shumë banorë ruralë po kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina për turistët dhe kështu po rritin jo vetëm të ardhurat ekonomike, por edhe krijimin e një zinxhiri të vlerave për produktet e tyre bio bujqësore.
Ekziston gjithashtu potencial për të promovuar aktivitete të tilla si: kalërimi, ecjet e gjata, vizita e vendeve historike dhe deri tek gatimet tradicionale.
Nëse doni ta shijoni më tepër, unë do ju këshilloja të bënit edhe një xhiro me varke për të parë të gjitha brigjet e liqenit anë e mbanë.
Por ajo që mua personalisht më la më tepër mbresa është ngjitja për në Bazilikën e këtij fshati, ku peisazhi të lë pa fjale. Madje sipas gojëdhënave, kur në këtë vend mbërritën rreth 2000 vjet më parë ushtarët e Julius Cezarit, bërtitën me të madhe Lyhnidas që do të thotë “Liqeni i Dritës”.
Bazilika paleokristiane është pjesë e trashëgimisë kulturore të fshatit, po kështu dhe mozaikët e Linit, të cilët ndodhen në majë të kodrës së Shën Thanasit dhe nga një studim i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.
Discussion about this post