Lashtësia e Kalasë së Prizrenit

Përapara syve tuaj, është i shtrirë Prizreni, i mbuluar me petkun e gjelbërt në kohën e pranverës dhe verës, kurse dimrit i mbuluar me flonjat e bardha të dëborës. Në pamje të parë ju shfaqet një qytet mbresëlënës. Thënë më shkurt, një kala është e domosdoshme për një qytet si Prizreni që mund të vështrohet në tërësi e gjithë bukuria e tij. E vendosur me shikim mbi kryeqytetin historik të Kosovës, Kalaja e Prizrenit përmbush dëshirat e udhëtuesve për lartësi, pamje dhe studime arkeologjike.

 

Si e tillë, shquhet si monument i trashëgimisë kulturore dhe  qëndron mbi Prizren, për të gjithë ata që duan të përshkojnë rrugën e përdredhur deri lart dhe për të shijuar një perëndim dielli përgjatë rrjedhës së Lumbardhit, është vend ideal.

 

Kalaja, gjendet në lindje të qytetit mbi një kodër me formë konike dhe me lartësi mbidetare prej 525 metrash.Kalaja e Prizrenit nuk shquhet vetëm nga pamja që ka, por edhe nga historia e saj. Ajo thuhet se daton që nga periudha e bronzit, por që për kohën e saktë të ndërtimit të saj ka vend për më shumë punë nga arkeologët. Disa nga gërmimet e bëra në vitet e fundit thanë se për herë të parë u dokumentuan dëshmi të një vendbanimi parahistorik.

 

Secila periudhë la gjurmë edhe në pamjen e kalasë. Sipas Institutit Arkeologjik të Kosovës, muri kryesor rrethues është i periudhës së hershme bizantine, pastaj gjatë periudhës mesjetare ka pasë disa ndërhyrje.Edhe më pas gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, kalaja pësoi ndryshime duke përforcuar muret fortifikuese dhe ndërtuar edhe disa objekte të tjera si hamami dhe xhamia që shërbyen për nevoja ushtarake. Këto ndryshime u bënë në pesë faza të ndërtimit. Kjo kala kreu funksionin e saj primar deri në vitin 1912 derisa më pas u la në harresë. Për të parandaluar procesin degradues të pasurisë kulturore të Kosovës filluan disa punime në vitin 2008.

 

E rrethuar me male duke qenë e vendosur mbi luginën e Lumbardhit, monumenti simbol i qytetit sigurisht që në vete ka edhe të gjitha karakteristikat e Prizrenit. Prandaj, qëndrimi në ambientet e kalasë për turistët do të jetë një shijim i jetës së përditshme të prizrenasve – mes historisë dhe kulturës. Poshtë kalasë dhe pranë lumit gjenden kafene dhe vende rekreacioni për turistët që duan të çlodhen pas ngjitjes.

 

Kalaja, nuk ofron vetëm një perëndim dielli të bukur, por edhe një buzëmbrëmje fantastike. Dhe këtu ka një lajm të mirë edhe për të gjithë filmdashësit. Kalaja e Prizrenit verës shfrytëzohet edhe si kinema.  Kino-Kalaja është një kinema eksperimentale që gjatë festivalit të famshëm të filmit dokumentar dhe atij të shkurtë, Dokufest, instalohet në pikën më të lartë të qytetit, duke u bërë kinemaja më e jashtëzakonshme e kësaj periudhe.

Discussion about this post

Related Posts