Në pranverë, do të kënaqeni me aromën e veçantë të blirit, ndërsa në dimër është kënaqësi të ecësh nën kurorën e pemëve të mbuluara me dëborë. Në vitin 1887, në Korçë u hap e para shkollë shqipe. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore qyteti u pushtua nga francezët dhe në këtë kohë u shpall Krahina Autonome e Korçës. Në vitin 1917, në këtë qytet u hap Liceu Francez, një nga shkollat më të përmendura në Shqipëri. Karakteristikë kryesore që tërheq vëmendjen e vizitorëve është arkitektura e veçantë, me shtëpitë tip vilash të rrethuara me kangjella dhe oborre të mbushura me lule të shumëllojshme. Veçanërisht mbresëlënëse është zona midis bulevardit “Republika” dhe “Shën Gjergji”.
Në këtë zonë, ndodhet Muzeu i Artit Mesjetar. Muzeu Prehistorik, i vendosur në dy banesa karakteristike korçare, do t’iu ofrojë 1200 objekte, të cilat përfaqësojnë gërmime arkeologjike nga periudha prehistorike, periudha helene, romake dhe bizantine e hershme. Me interes të veçantë është shtëpia muze e mjeshtrit të peizazhit Vangjush Mio, si dhe Muzeu i Koleksionit Bratko, i çelur në vitin 2003, me vepra të artit oriental të vendeve të Lindjes së Largët. Objekte të tjera me interes janë: Pazari i Korçës (shek. XIX dhe fillimi i shek. XX); Xhamia e Iliaz Bej Mirahorit, viti 1484 (monumenti më i vjetër i qytetit); Katedralja e Ngjalljes së Krishtit (ndër më të mëdhatë në Ballkan); Kisha e Shën Ilias, ku ofrohet një pamje mahnitëse e qytetit, etj. Në tavernat e qytetit do të provoni një shije gatimi, që nuk e keni provuar më parë. Korça është e pasur në gatime, por në veçanti ju rekomandojmë lakrorin me qepë e domate. Gjithashtu, mos rrini pa provuar tavën e korminës.
Korça shquhet edhe për këngët e saj karakteristike, të quajtura serenata, të cilat shoqërohen me kitarë. Por Korça është edhe qyteti i karnavaleve. Ato zhvillohen në prag të Pashkëve Ortodokse dhe ceremonia e tyre është më e madhja dhe më e bukura në vend. Voskopoja ndodhet 25 km në lindje të Korçës. Sot është një fshat, por shekuj më parë ka qenë një ndër qendrat më të rëndësishme ekonomike e kulturore të Ballkanit. Si vendbanim daton që në vitin 1330, ndërsa lulëzimin më të madh e njohu në vitin 1794, kur numëronte 30.000 banorë. Voskopoja komunikonte me Lajpcigun, Budapestin, Venedikun dhe Vjenën.
Qyteti numëronte 27 kisha, një Akademi me bibliotekë, si dhe shtypshkronjën e parë në Ballkan, e cila daton në vitin 1720. Në Voskopojë mund të vizitoni disa kisha, ndër të cilat përmendim: Manastirin e Shën Prodhomit, i cili është një ndërtim i stilit bizantin i shek. XVII; Kishën e Shën Kollit (1721) ose e shek. XVIII, ku gjenden pikturat e ikonografëve të shquar shqiptarë David Selenicës dhe vëllezërve Zografi nga Korça, të cilët kanë punuar edhe në malin e Shenjtë të Athosit në Halkidiki të Greqisë. Bazilika e Shën Thanasit, një ndërtim karakteristik me piktura murale, që mbajnë autorësinë e vëllezërve Zografi. Kisha e Shën Mëhillit e shek. XVIII; Kisha e Shën Mërisë, e cila gjendet në hyrje të fshatit dhe ka gjithashtu piktura murale. Në Voskopojë, veç klimës së shëndetshme dhe ajrit të freskët, do të gjeni hotele të rehatshme, shtëpi ku zhvillohet turizmi familjar, ndërsa për amatorët e skive ndodhet pista natyrore e Peltekut.
Boboshtica është një fshat tërheqës, vetëm 16 km larg nga qyteti i Korçës. Ndodhet përgjatë rrugës Korçë–Dardhë. Aty gjenden restorante dhe taverna, të cilat ofrojnë specialitete të kuzhinës tradicionale të zonës. Boboshtica është e njohur për rakinë e saj të veçantë, të prodhuar prej manave. Këtu mund të vizitoni edhe kishat e vjetra të Shën Mitrit dhe Shën Jovanit. Boboshtica është vendlindja e dramaturgut dhe akademikut rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiut (1889-1972). Dardha është një pikë tjetër malore me vlera turistike. Gjendet 20 km në juglindje të Korçës, në një lartësi prej 1.350 m mbi nivelin e detit.
Këtu reshjet e dëborës vazhdojnë tre muaj, duke ofruar mundësi për sportet dimërore. Përgjatë rrugës që ngjitet nga Boboshtica për në Dardhë, mund të vizitoni pistën natyrore të skive të Bigellit, ku zhvillohen edhe garat e kampionateve kombëtare. Karakteristikë e Dardhës janë çezmat e shumta dhe kostumet karakteristike popullore të grave, ku mbizotëron e kuqja dhe e zeza (ngjyrat e flamurit kombëtar). Krahas hoteleve, mund të akomodoheni edhe në shtëpitë karakteristike prej guri (shtëpi miqsh), të cilat ofrojnë turizëm familjar. Dardha shquhet për rakinë e kumbullës dhe lakrorin me dy petë, ndaj ua rekomandojmë.
Përgjatë rrugës automobilistike që lidh Korçën me Ersekën gjendet Tuma e Kamenicës. Tuma e Kamenicës është varreza e një komuniteti rural, që ka funksionuar për më shumë se shtatë shekuj (nga periudha e bronzit të vonë, rreth shek. 13 p.e.s. deri në periudhën e hekurit të zhvilluar, rreth mesit të shek. 6 p.e.s.). Kjo është nga më të mëdhatë e njohura deri më tani, ku janë evidentuar 400 varre dhe më shumë se 3500 objekte. Në fillim të viteve 2000 është gërmuar nga Grupi i Arkeologjisë sëShpëtimit të Qendrës Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik, Tiranë. Vithkuqi Fshati malor i Vithkuqit ndodhet 25 km në jugperëndim të qytetit të Korçës. Njihet si një vendbanim mesjetar dhe në shek. XVII-XVII ka qenë një qendër e rëndësishme ekonomiko-kulturore, me 24 kisha.
Vithkuqi është vendlindja e pionierit të Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe autorit të abetares së parë të gjuhës shqipe, Naum Veqilharxhi. Pikat kryesore turistike janë burimi i Bellovodës, kishat e Shën Pjetrit, Shën Pavlit dhe Kozma Damianoit. Adhuruesit e alpinizmit kanë mundësi të kryejnë ngjitje më këmbë ose me kalë në majën e Rrungajës, 1.750 m mbi nivelin e detit. Në Vithkuq mund të akomodoheni në shtëpitë e fshatit, ku mund të shijoni prodhimet e mrekullueshme vendase. Liqenet e Prespës shtrihen në pjesën juglindore të Shqipërisë. Ato përbëhen nga Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël. Liqeni i Prespës së Madhe, i pozicionuar në një lartësi prej 850 metrash mbi nivelin e detit, përbën liqenin më të lartë tektonik të gadishullit të Ballkanit. Ka një sipërfaqe prej 285 km2 dhe është një pikë kontakti midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Nga ky liqen Shqipëria zotëron në total një sipërfaqe prej 38,8 km2. Ujërat e liqenit të Presës së Madhe shquhen për qartësi të lartë deri në 20 metra thellësi. Karakteri i thyer i vijës liqenore i jep Prespës një pamje mjaft tërheqëse
Discussion about this post