Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, referencë uniteti mbarëshqiptar

Përpos bukurive natyrore që i posedon qyteti i Prizrenit, atraksionet turistike që i gëzon ky vend, ai ka një rëndësi të veçantë edhe për nga historia. Prizreni, është vendi ku të gjitha kulturat janë ulur këmbëkryq, e të gjithë pushtuesit e mëhershëm, kanë ngritur objekte në emër të tyre. Destinacion i dëshirueshëm për t’u vizituar vazhdon të mbetet Prizreni, me tanë atë bukuri që i’a ka dhuruar Zoti e me të gjithë historinë e saj, mbetet kryeqendra historike. Kur flasim për këtë pjesë, menjëherë na shkon mendja dhe duam të dijmë më shumë për historinë, ku këtë herë e veçojmë Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, si një monument i trashëgimisë kulturore në qytetin historik të Prizrenit.

10 qershori i vitit 1878 solli në Prizren, shqiptarët më ambiciozë nga të gjitha trojet në një përpjekje të madhe për t’i shpëtuar ato nga copëtimi që veçse ishte planifikuar në traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit. Xhamia e Bajraklisë, në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, ishte nikoqire fillestare e delegatëve nga katër vilajetet shqiptare që me vendosmëri të patundur u bënë gati për një kundërshtim të ashpër të padrejtësisë që ishte nënshkruar tashmë. Me zbehjen e fuqisë osmane, shqiptarët patën drojën se një pjesë e madhe e territorit të tyre do t’u falej Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, prandaj u rrit zelli për t’u bashkuar. Përkundër dallimeve që kishin shqiptarët e zonave të ndryshme në Prizren, u njëjtësuan me qëllimin e vetëm për unifikim dhe rezistencë ndaj armiqve përreth.

 

Në kohën e sotme ku shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme fqinje,  Prizreni vazhdon të jetë kryeqytet historik i tyre dhe destinacion gati i përhershëm i festave kombëtare. Kompleksi muzeor i Lidhjes së Prizrenit është vendi që rikthen sërish në kujtesë këtë pjesë të lavdishme të historisë shqiptare. Ky monument është i kategorisë “arkitekturor”  dhe ndodhet nën mbrojtjen e shtetit.  Ai ka qenë pjesë e kompleksit të Gazi Mehmet Pashës ndërtuar në vitin 1537. Kompleksi para se të merrte funksion politik më 1878, shfrytëzohej si medrese. Në Prizrenin e sotëm kompleksi zë një pozitë kyçe. Ai është në qendër të pjesës së vjetër të qytetit rrëzë lumit Lumbardh, afër Rrapit të Marashit dhe Kalasë së Prizrenit.

 

Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Gazi Mehmet Pashës, Tyrbeja si dhe objektet e banimit. Këto objekte të rëndësisë së veçantë historiko-kulturore patën edhe restaurime ndër vite. Në vitin 1946 Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit u emërtua “Sheshi i Lidhjes së Prizrenit” dhe u regjistrua si vlerë e posaçme në Raportin Teknik të UNESCO-s. Për nder të 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1978, u bënë disa ndërhyrje në këtë kompleks me rrënimin e disa objekteve të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës për të formuar Muzeun e Lidhjes së Prizrenit.

Ky qytet vazhdon të mbledhë edhe sot e kësaj dite udhëheqësit shqiptarë të shteteve ku jetojnë ndaras për t’i frymëzuar në idealet e tyre shtetërore. Përveç tyre, kompleksi s’mbetet pa u vizituar thuajse nga secili mysafir i qytetit, meqë përbën vetë simbolikën e tij. Brenda muzeut mund të shuani kureshtjen e shumë pyetjeve për këtë ngjarje historike. Aty të ekspozuara janë disa nga portetet e burrave ikonikë të kombit, armët e tyre, fotografi të vjetra e shumëçka tjetër. Në vitin 2018 u jetësuan në bronz tri figurat kryesore të lëvizjes Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sylejman Vokshi në brendi të kompleksit.

Discussion about this post

Related Posts