Nëse doni të prekni natyrën e liqenet, apo të shijoni piknikun larg zhurmës së kryeqytetit, Kashari është hapësira e përshtatshme. Kjo falë edhe liqeneve artificiale që shtrihen përreth tij, që ju krijojnë mundësinë të rrethoheni nga bukuritë natyrore të kësaj zone.
Nëse më parë të ardhurat kryesore të zonës lidheshin me prodhimet bujqësore që furnizonin kryeqytetin, sot kjo zonë po zhvillohet gjithnjë e më tepër në aspektin turistik. Prania e katër liqeneve artificiale – Liqeni i Kasharit, i Gjokajt, Kusit dhe i Mëzezit – të pozicionuara pranë një relievi kodrinor, krijojnë një panoramë piktoreske dhe çlodhëse.
Këto liqene përveç rolit parësor në zhvillimin e bujqësisë përbëjnë një aset për zhvillimin e aktiviteteve rekreative dhe të lidhura me sportet e ndryshme. Në Liqenin e Kasharit zhvillohet gara e peshkimit sportiv e organizuar nga Shoqata e Peshkimit Sportiv dhe Rekreativ.
Liqeni i Kasharit ose Rezervuari i Kasharit ndodhet vetëm 5 km larg qendrës së Tiranës dhe mund të shkohet me makinë, me biçiklet ose me autobusë deri në qendrën e Kasharit.
Zona përreth Kasharit është shumë e bukur me peisazh fantastik, ku shtëpitë me çatit e kuqe ndodhen rrëzë kodrës. Liqeni i Kasharit dhe zona rreth tij është shpallur si Parku i Tretë i Tiranës nga Bashkia e Kryeqytetit.
Liqeni i Kasharit është një destinacion perfekt për një fundjavë me familjen ose shoqërinë, ku mund të shijoni një piknik pranë liqenit dhe në ajër të pastër larg zhurmave të kryeqytetit. Gjithashtu është një mundësi e mirë për të mësuar dhe parë jetën në fshat.
Ne ju rekomandojmë që të shkoni me biçiklet pasi në këtë mënyrë do të keni mundësi të shijoni më mirë panoramën e fshtrave.
Zonë historike
Dëshmitë për ekzistencën e Kasharit janë të hershme. Por dokumentacioni i parë që flet për të, lidhet me betejën që ka zhvilluar Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në fushën e Limuthit në vitin 1456, kundër trupave osmane. Kashari sot është një zonë e mbrojtur arkeologjike, pasi në rrethinat e saj janë gjetur objekte të vjetra mbi 300 vjeçare, që dëshmojnë ekzistencën e një identiteti lokal. Në fshatin Kus në Kashar, do të gjeni rrënojat e kishës mesjetare e xhamisë mbi 300 vjeçare që mban emrin e fshatit, si dhe varrezat e lashta që ndodhen në fushën e Zaltës.
Discussion about this post