Kanionet e Skraparit

Kanionet e Skrapari tani janë shndërruar në një destinacion të mrekullueshëm për tu vizituar. Edhe pse nuk kanë qenë të njohura më parë këto, po tërheqin gjithnjë e më shumë  vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Pamja e mrekullueshme e Kanionit të Osumit është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, 70-80 m i thellë, me shpatë vertikale, përfund të cilëve rrjedh lumi i Osumit.

I cilësuar edhe si “Koloradoja e Shqipërisë”, pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Rafting në Kanionet e Osumit është tashmë një nga guidat më të preferuara pothuajse nga të gjitha grupmoshat.

Në një distancë prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e raftingut kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si ‘’syri’’, ‘’porta e djallit’’, ‘’krokodili’’ apo ‘’katedralja’’.

Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen. Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese.

Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryese dhe tretëse, kanë depërtuar në masën shkëmbore duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse.

Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset gjeologjike.

Midis tyre dallohet “Vrima e nuses”, që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe diametër rreth 2 m.

Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta.

Ka qenë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme.

Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të shenjtit Abaz Aliu. Legjenda e lidh shpellën e “Vrimës së Nuses”, të përmendur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se “po e çonin tek burri pa dëshirën e saj”, por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo e çarë shkëmbore nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë.

Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga gërryerjet shkëmbore të ujit. Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi.

Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë.

Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit. Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit.

Lumi Osum formohet nga përrenj të shumtë që rrjedhin nga shpatet e Vithkuqit në malësinë e Korçës dhe shpatet perëndimore te Gramozit në rrethin e Kolonjës.

Gjatë rrjedhës se tij nëpër Skrapar, Osumi bashkohet me disa degë të tjerë të tij dhe formën e vërtete e merr në hyrje te qytetit të Beratit. Osumi pasi bashkohet me Devollin në afërsi të Urës se Kuçit formojnë Semanin. Gjatësia e Osumit është 161 kilometra, por pjesa me e bukur e tij është padyshim kanioni që ndodhet në rrethin e Skraparit.

Kanioni i Osumit është më i gjati dhe ka lartësinë mesatare më të madhe në vend. Në fundin e tij, në Vaun e Grepckes, Osumi krijon një delte te bukur që shfrytëzohet nga banoret e Çorovodës dhe fshatrave përreth për të pushuar dhe bërë plazh gjatë stinës së verës.

Në thellësi të tij, kanioni krijon gjashte ngushtica, në të cilat lumi mund te kalohet vetëm me not pasi kanioni është shumë i ngushtë.

Kanioni i Osumit ka qenë thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve ’90.

Por qysh nga ajo kohë kanionin kanë nisur ta vizitojnë turistë të huaj kryesisht italianë, francezë, çek por edhe nga vendet nordike të cilit e kanë kthyer në një rit të përvitshëm.

Ata janë kryesisht të dhënë pas vozitjes me kanoe e kajak.

Kanioni mund të vizitohet në dy mënyra, nëpërmjet shtratit të lumit me kanoe, kajak apo varka gome, ose në rruge tokësore me automjet apo në këmbe.

Vozitja mund të bëhet në çdo stine të vitit pasi lumi nuk është shumë i rrëmbyeshëm, por zakonisht amatoret e këtij sporti preferojnë periudhën nga pranvera deri në fundin e vjeshtës. Vozitja me kajak e kanoe mund të bëhet duke i pasur vete këto mjete, në të kundërt një shërbim i tillë të ofrohet nga një agjenci turistike në qytetin e Beratit, e cila të ofron veç të tjerash dhe hotel, kuzhine tradicionale të zonës si dhe një guide vozitjeje nëpër kanion. Kanioni është krejtësisht një vepër e natyrës.

Rruga automobilistike që lidh qytetin e Çorovodës me skajin e sipërm të kanionit të quajtur Hambull kalon thuajse ngjitur me bregun e kanionit. Ky aks rrugor nuk është shumë i mirë por mund të përshkohet me fuoristrade apo autovetura. Nga Çorovoda deri në Hambull mund të shkosh me linje furgoni.

Gjatë vizitës nëpër kanionin e Osumit mund të shijosh edhe pamjen përrallore të disa ujëvarave, të cilat bien në lum nga një lartësi e madhe, si në Çerenisht, Zogas, Kalanjas, Dhores, Pigas e Blezencke.

Gjatë kanionit mund të ndeshesh dhe disa shpella interesante. Një pamje të rralle të kanionit mund ta shijosh dhe nga e vetmja urë që ndodhet në të, në afërsi të fshatit Blezencke.

Pikërisht aty është vendi me i ngushte i kanionit dhe arrihet lartësia me e madhe nga shtrati i lumit. Në afërsi të fshatit Dhores mund të vizitosh dhe vendin e shenjte për besimtaret bektashian te zonës, pasi sipas legjendës aty gjendet “Gjurma e Imam Aliut”.

Ky vend i shenjtë ndodhet në pjesën e sipërme të kanionit, ku në masivin shkëmbor, në të dyja anët e lumit, dallohen qarte gjurma e një njeriu, e një kali dhe gjurma e një bastuni.

Sipas legjendës Imam Aliu e ka kaluar kanionin me një kërcim të kalit të tij. Si gjatë vozitjes nëpër lum ashtu dhe nëse ecën me këmbë ndesh burime me ujë të ftohtë. Hotelet më të afërta me kanionin ndodhen në qytetin e Çorovodës.

Çmimet në to janë shumë të arsyeshme. Në restorantet e qytetit të ofrohet gatimi tradicional i zonës, mishi në hell i shoqëruar me disa produkte bulmeti si dhe me rakinë e shquar të Skraparit. Kanioni mund të përshkohet për afro treçerek ore me makinë, tre ore në këmbe dhe pak me shumë se dy orë me kanoe apo kajak.

Po ashtu në këtë kanion, nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe gjithë bota vijnë jo vetëm për të ushtruar në ujërat e tij, sportin e bukur të raftin, por edhe për të eksploruar magjinë e natyrës shqiptare.

Discussion about this post

Related Posts