Kalaja e Vushtrrisë, monument identifikues i qytetit

Kalaja e Vushtrrisë ndodhet mu në qendër të qytetit, përkatësisht në shëtitoren e qytetit. Ky monument historik i cili i ka rezistuar periudhave të ndryshme kohore, tani është një nga monumentet identifikuese të qytetit të Vushtrrisë.

Kalaja e Vjetër urbane e tipit fushor, sipas disa studimeve u ndërtua gjatë periudhës së hershme Iliro-Dardane. Lokaliteti arkeologjik “Kalaja e Vjetër” në Vushtrri, përbëhet prej strukturave ndërtimore me shtresime nga periudha të ndryshme hisorike.

Ndonëse është rindërtuar disa herë, ajo ka arritur të mbijetojë deri sot. Në shek.XVI ishte qendër e rëndësishme administrative e tregtisë, ku vazhdoj edhe pas pushtimit të perandorisë osmane deri në shek.XVII. Në një pozitë strategjike të qytetit, për nevoja të ushtrisë, është ndërtuar kalaja me funksion mbrojtës dhe vrojtues.

Përkundër ndikimeve nga faktorë të ndryshëm përgjatë historisë, kalaja e ka ruajtur autencitetin e saj. Ky monument është ndërtuar nga gurët ranor dhe lumor të lidhur me llaç gëlqeror. Sistemi fortifikues i kalasë ka planimetri drejtkëndëshi. Përbëhet nga dy pjesë, kullës dykatëshe në lindje dhe mureve rrethuese në perëndim.

Në vitet 2013/2014, kalaja është restauruar, dhe tani në këtë monument zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore. Po ashtu, arkitektura e saj e unike dhe pozita e përshtatshme bënë që kalaja të jetë një monument i veçantë për t’u vizituar.
Ajo është e hapur për vizitorët, nëse hyni brenda mund të lexoni për historikun e qytetit, do të gjeni fotografi të vjetra të qytetit, të personaliteve të njohura të Vushtrrisë përgjatë historisë e shumë të tjera.

Discussion about this post

Related Posts