Kalaja e Prezës, atje ku ndërthurret historia, kultura, tradita dhe natyra

Nëse jeni të apasionuar pas historisë, kulturës, traditës apo edhe monumenteve kulturore, sugjerimi im kësaj here është për të vizituar një nga kalatë më interesante që ndodhen në rrethin e Tiranës. Bëhet fjalë për Kalanë e Prezës e cila mbart në vetvete vlera të larta kuturore, historike e monumentale.

E ndodhur 22 km larg Tiranës, Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi majën e një kodre . Përvec vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës.

Kalaja është afër Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza. Eshtë një kala e vogël, por më e madhe se Kalaja e Petrelës, të cilën ua kam sjellë më herët në materialet e Triptoalbania.al.

Ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XV nga Topiajt, familja që zotëronte zonën, dhe ka pasur si funksion ruajtjen e rrugës së rëndësishme tregtare që lidhte Durrësin, me Krujën dhe Shkodrën.

Kalaja ka formën e një pesë-këndëshi të çrregullt, me 4 kulla të rrumbullakëta nëpër qoshe dhe me 1 kullë drejtkëndëshe pranë mesit të njërit prej mureve, e cila ka shërbyer edhe si portë. Me mure që arrijnë deri në 6,40 m lartësi, Kalaja ka një gjatësi prej 80 m dhe një gjërësi prej 50 m. Fakti që në oborrin e saj është ndërtuar vetëm një sterrë e madhe tregon që kështjella ka qenë më së shumti një fortifikim ushtarak e nuk është banuar. Pas pushtimit otoman të Shqipërisë, kalaja u riparua dhe mbi portën hyrëse u ndërtua një xhami. Më vonë, me shumë gjasa në shekullin XX, mbi muret e kalasë u ndërtua edhe një kullë sahati.

Kjo kala është deklaruar Monument Kulture i mbrojtur nga shteti. Një restorant me kuzhine tradicionale dhe disa shërbime të tjera ofrohen brenda kalasë si dhe një shesh i madh i gjelbër ku mund të luani ose të bëni piknik.

Por, ajo që është magjike në këtë kala është perëndimi i diellit ku mund të shkrepni foto fantastike dhe këtë jua thotë një person i apasionuar pas fotografisë dhe udhëtimeve.

Discussion about this post

Related Posts