Kalaja e Kanines

Kalaja e Kaninës është një monument i trashëgimisë kulturore në Kaninë, Rrethi i Vlorës, në qarkun e Vlorës, Shqipëri . Ky monument është i llojit “Arkeologji”.
Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala është përmendur që në shekullin IV. Megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëpasme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në mesin e gjirit të Vlorës, male të larta i afrohen së tepërmi bregut duke e ndarë atë në dy pjesë. Në këtë zonë, paksa e tërhequr në thellësi, ngrihet një kodër 379 m e lartë, në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Po këtu lugina e Lumit te Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me hinterlandin. Faktor me rëndësi ky, pasi më në jug malet fitojnë lartësi të madhe, ndërsa më në veri largesia midis bregdetit me luginën e Lumit të Vlorës rritet mjaft shpejt. Këto janë dhe kushtet që percaktojnë rëndesinë strategjike të Kaninës, si ndaj kalimit nga pjesa jugore në atë veriore (dhe në të kundërt), po ashtu dhe ndaj lidhjes së trevës së Lumit të Vlorës me Gjirin e Vlorës. Nga ana tjetër kodrat përreth saj krijojnë kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë, ndërsa në lindje gjenden troje mjaft të gjera dhe të përshtatshme për bujqesi, duke plotësuar kështu krahas pozitës strategjike dhe atë ekonomike.

Kushtet e mësipërme ndikuan në këtë vend, qysh në periudhën antike, të lindë një qendër e fortifikuar, jeta e së cilës zgjat thuajse pa ndërprerje deri në shekullin e kaluar. Natyrisht, roli i kësaj qendre nuk ka qenë kurdoherë i njëjtë, kështu ajo ka pasur rol të dorës së parë ose ka qenë në varësi të qendrave të tjera në funksion të kushteve ekonomiko-shoqërore të periudhave përkatëse. Përveç kushteve strategjike dhe ekonomike vendi plotëson dhe kërkesa të tjera të nevojshme për ngritjen e një qendre të fortifikuar: mundesinë e komunikimit, praninë e ujit të pijshëm, nxjerrjen e gurit të ndërtimit si dhe mbrojtje natyrale.
Qyteti i Fortifikuar i Kaninës është ngritur aty nga shekulli i IV p.e. sonë. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndërtimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike si dhe në atë të periudhës mesjetare.
Në antikitet kemi mbeturinat e murit ilir, gjurmët e të cilit u zbuluan në të gjitha anët e kështjellës. Ne murin ilir kemi të përdorur sistemin “izodomik katror”.

Në antikitetin e vonë kemi rindertim në muret rrethues të keshtjellës. Këtu kemi të bëjmë me një mur të ndërtuar me teknikën “opus mixtum”.
Periudha e mesjetës si ajo e hershme e më tej, përfaqesohet me rindertimet dhe meremetimet e murit rrethues. Në fazat e mesjetes muri është ndërtuar kryesisht prej guresh mesatar të papunuar dhe blloqe antike të riperdorura të lidhur me llaç gëlqere. Në muret rrethuese të periudhës mesjetare kemi përforcime me kulla, me trajta të ndryshme.
Veç rrethimit të fortifikimit, në territorin e brendshëm të keshtjellës në të gjitha pikat, u zbuluan mure ndërtesash, që ndonëse të dëmtuara, na lejojnë të kapim gjurmë të planimetrive dhe të krijojmë një ide mbi trajtën e banesave të kësaj qendre në lashtësi. Në territorin brenda keshtjellës gjenden të zbuluara dhe elemente të tjerë ndërtimorë, si rrugë me kalldrëm, kanale e strera.
Kanina është pjesë e një listës së 100 fshatrave që do të resturohen dhe një prej më të vizituarve në qytetin e Vlorës. Fshati ka një pamje të mrekullueshme të shtrirë mbi det dhe perëndimet në kaninë janë thjesht mbresëlënëse.

 

Discussion about this post

Related Posts