Kalaja e bukur e Petrelës, madhështore dhe me vlera të mëdha historike

Petrela është një fshat piktoresk, jo më larg se 18 km larg Tiranës. Petrela është një nga fshatrat tipik të modelit mesjetar shqiptar dhe emrin e mori nga kalaja që dominon vendbanimin historik. Rruga që të çon drejt kalasë, gjarpëron bukur mes ullishtave, shtëpive të reja deri në qendër të fshatit. Aty parkon makinën dhe duhet të ecësh në një terren të thyer për të hyrë në kala. Atmosfera që rrethon parahyrjen është tipike. Shtëpitë janë në harmoni me kompleksin e kalldrëmit, dominues për karakterin mesjetar të fshatit. Porta e madhe mbulohet nga degët e ullinjve qindravjeçar dhe udhëheq rrugëzën e ngjitjes së kalasë.

 

Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë Bizantine.

 

Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Kalaja e Petrelës kontrollonte degen e rrugës Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.

 

Kalaja ruan gjurmët e murit rrethues origjinal dhe të kullave të dikurshme vrojtuese. Duhet thënë se në gjendjen e sotme kalaja vjen e restauruar disa herë për t’ ju mbrojtur kohës. Rruga e ngjitjes është sfiduese, kërkon vëmendje sepse është ndërtuar në një terren të pjerrët. Pjesa kulmore e ngjitjes është pranë shkallëve të gurit që të çojnë brenda në kështjellë. Hapësirat e brendshme të kalasë lidhen me dy korridore të hapura në qiell, pas të cilëve lidhen hapësirat e dhomave kryesore dhe dy portave të vogla të restauruara në harmoni me variantin origjinal. Muri rrethues në pjesën jugore i cili nuk shihet nga rruga kombëtare pasohet nga vargmale të shumtë, një panoramë vërtetë idilike. Brenda në kala është adaptuar një restorant dhe një kafene interesante mobiluar në mënyrë tipike me traditën e kohëve të shkuara. Rafte, objekte shtëpiake të vjetra, punime dore tipike për zonën, mindere ku shërbehet edhe ushqim, janë disa nga të veçantat e këtij objekti historik.

Kur jeni në pikën më të lartë të kalasë kuptoni se pozicioni i saj strategjik dominonte rrugët e karvaneve të udhëtarëve apo ushtrive. Rrënjët e ndërtimit datojnë diku në shekullin e 5-të pas Krishtit por formën e plotë kalaja e mori në mesjetë. Më të vjetrit në fshatin Petrelë tregojnë se pishtarët që ndizeshin në kalanë e Krujës dukeshin deri në Kalanë e Petrelës, një fortesë e dominuar nga prijësit që ju bashkuan Skënderbeut kundër osmanëve.

 

Fshati poshtë është një nga zonat më të preferuara për natyrën rreth Tiranës. Vitet e fundit dallojnë shtëpi me arkitekturë ambicioze, disa restorante me gatime tradicionale dhe rreth Petrelës disa impiante pushuese me pishina verore.

 

Discussion about this post

Related Posts