Juniku, aktualisht është njëra prej komunave më të reja dhe më të vogla të Kosovës, por kjo nuk e pengon atë që të jetë një qytet me histori të hershme dhe potencial të jashtëzakonshëm të zhvillimit, në veçanti në aspektin turistik. Me vetëm 6000 banorë dhe sipërfaqe prej rreth 77 km², Juniku ndodhet në pjesën perëndimore të Kosovës, rrëzë Alpeve Shqiptare. Ka pozitë të përshtatshme gjeografike sepse shtrihet deri në veri-perëndim të fushës së Dukagjinit, përballë grykës së lumit Erenik, i cili buron nga liqejtë e Gjeravicës dhe dredhon nëpër luginat e Alpeve Shqiptare. Territori i komunës së Junikut kufizohet me komunën e Deçanit, komunën e Gjakovës, republikën e Shqipërisë dhe republikën e Malit të Zi.
Në aspektin historik, sa herë përmendet Juniku, të mend të bie Kuvendi i famshëm i Junikut i cili u mbajt më 21-25 maj 1912 në këtë qytet. Kuvendi u mblodh me nismën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, me ç ‘rast u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.
Por, historia e Junikut nuk fillon këtu. Emri Junik si vendbanim përmendet qysh në kohët e hershme pellazgo – ilire. Juniku llogaritet të jetë një ndër vendbanimet më të vjetra të Kosovës. Për vjetërsinë e tij tregojnë në mes tjerash edhe toponimet Gradina, Kishëza, Gunga e Badrës, Kroi i Priftit, Livadhi i madh, Gropa e Amonit, Guri i Likërsh etj. Për vjetërsinë e Junikut më se miri tregon lokaliteti arkeologjik “Gradina e vogël” që gjendet mbi Junik, në një pjesë në mes lumenjve Ereniku i madh dhe Ereniku i vogël.
Juniku është i njohur edhe për kullat e vjetra, e të cilat me të drejtë llogariten si simbolet kryesore të këtij qyteti. Kullat e Junikut, sot janë jo vetëm pjesë e trashëgimisë kulturore, por edhe potencial për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Është e njohur rëndësia historike që kanë luajtur kullat dhe odat e Junikut, jo vetëm mobilizimin ushtarak në luftërat e vazhdueshme për liri, por edhe në pajtimin e gjaqeve dhe organizimin e përgjithshëm shoqëror e atë arsimor për vite me radhë. Kullat më të njohura në Junik janë kullat në lagjen e Hoxhajve.
Juniku është përmendur edhe si qytet i mullinjve për bluarjen e drithit. Duke pasur pasuri të bollshme ujore, në Junik dikur kanë funksionuar mbi 30 mullinj që janë shfrytëzuar jo vetëm nga vendasit, por edhe nga banorët e qyteteve tjera. Aktualisht ekzistojnë vetëm tre të tillë në gjendje relativisht të mirë. Ata gjinden në lagjet Gacafer, Krasniq dhe Berishë. Dy nga mullinjtë janë akoma në gjendje pune. Mullinjtë në lagjet Berishë dhe Gacafer kanë përkatësisht rreth 950 dhe 580 vjet që ekzistojnë. Përpos vlerave historike, ata mbartin gjithashtu vlera të identitetit por edhe ekonomike duke qenë se ata strehojnë aktivitete prodhimtarie.
Megjithatë, jo vetëm e kaluara e Junikut, por edhe e tashmja dhe e ardhmja e bëjnë këtë qytet të jetë një vend adekuat për tu vizituar. Turizmi në komunë e Junikut është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik. Potenciali turistik i Junikut është ngushtë i lidhur me pozitën gjeografike dhe vlerat kulturore, arkeologjike dhe natyrore të cilat paraqesin një potencial të madh për zhvillimin e këtij sektori.
Por, pjesa më atraktive dhe mbase më e kërkuar nga turistët është natyra e jashtëzakonshme e Junikut. E rrethuar me male e bjeshkë të larta, e pasur me shumë burime ujore, natyra në këtë qytet është një atraksion në vete. Për vizitorët e Junikut mundësohet ecje nëpër shtigje të mrekullueshme malore, përfshirë këtu edhe majen më të lartë në Kosovë, atë të Gjeravicës. Këtu nuk duhet harruar të përmenden edhe vendet tjera tejet atraktive sic janë gropa e Erenikut, Pllaqica e Junikut, Kroni i Gërlat, Rrasa e Zogut e të tjera.
Përveç ecjes malore, bjeshkët e Junikut ofrojnë edhe mundësi për qëndrim më afatgjatë, qoftë përmes organizimit të kampingjeve qoftë në hotelet dhe bujtinat e shumta që tashmë kanë filluar të ndërtohen nga banorët vendas. E një segment tejet i rëndësishëm për vizitorët është edhe ushqimi tradicional, i cili ndonëse nuk dallon shumë nga ushqimi i zakonshëm Rrafshit të Dukagjinit, në Junik shijohet dukshëm më këndshë, kjo falë edhe bujarisë së vendasve dhe respektit e mikrpitjes që ata kanë për turistët.
Krahas ecjes malore, në Junik mund të freskohesh edhe në dy liqentë e Gjeravicës, në liqenin e Zemrës, në liqenin e Tropojës por edhe në lumin Erenik. Një atraksion në vete është edhe parku i Mornicës, një park me pisha të dendura e rrjedha ujore e që gjendet jo shumë largë qendrës së qytetit.
Bjeshkët e Junikut janë të përshatshme edhe për sporte dimërore. Viteve të fundit është shtuar dukshëm numri i sportistëve, kryesisht të huaj që vzitojnë këto bjeshkë me qëllim të skijimit dhe sporteve tjera të kësaj natyre. Janë me dhjetra adhurues të sporteve ekstreme dimërore që tashmë cdo vit vizitojnë bjeshkët e Junikut dhe kujdesen për promovimin e tyre ndërkombëtar.
Janë shumë element që e bëjnë të njohur e të dëshiruar për vizitë këtë qytet të vogël. Natyra, bjeshkët, kullat, tradita e shumëçka tjetër nxisin me qindra vizitorë që për çdo ditë t’ia mësyjnë kësaj qyteze turistike e me vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore. Por, njëri nga këta elementë, madje për junikasit shumë i rëndësishëm, është edhe kultivimi i frutave të malit, me theks të veçantë i gështenjës, frutë kjo mjaft e përhapur e e njohur në këto anë.
Gështenjat e Junikut janë të njohura në tregun vendor si të mëdha dhe kualitative. Pjesa dërmuese e rreth 1300 hektarëve tokë private janë të mbjella me gështenja dhe mjaft i madh është edhe angazhimi i junikasve për kultivimin e kësaj frute. Për junikasit, druri i gështenjës është dru i shenjtë, ndërsa pyllin me gështenja ata e krahasojnë me arën e misrit.
E më të gjitha këto resurse historike e natyrore, Juniku ngadalë është duke u shndërruar ndër vendet me atraktive për turistët në Kosovë, e sidomos për ata që vijnë nga shtetet e huaja, të cilët mbesin të befasuar me bukurit e Junikut dhe bjeshkëve të saja.
Gazetar: Artan Haraqia
Discussion about this post