Jo vetëm Lezha e historisë, por edhe qyteti i disa prej lagunave më të bukura të Shqipërisë

Nëse përmendet Lezha, në fakt të gjithëve na vjen në mendje heroi ynë kombëtar Skënderbeu, memoriali i të cilit gjendet në zemër të këtij qyteti. Por në të vërtetë Lezha nuk është vetëm qyteti I historisë, traditës dhe kulturës, së fundmi ky qytet po kthehet edhe në një destinacion turistik të preferuar.

Disa prej lagunave më të bukura të vendit, ato të Kune-Vainit dhe Patokut, si dhe plazhet me rërën më të pastër ndodhen pikërisht në zonën e Lezhës. Njëherë e një kohë, Lezha tërhiqte vizitorët për monumentet e shumta të rëndësishme historike, si Memoriali i Skënderbeut apo Kalaja e Lezhës. Por vitet e fundit duket sikur historia apo natyra nuk janë më të vetmet arsye për të udhëtuar drejt këtij qyteti që jeton që prej antikitetit. Tradita gastronomike e zonës ka bërë që Lezha të jetë një magnet i vërtetë për të gjithë ata që duan të shijojnë më të mirën që kuzhina shqiptare mund të ofrojë.

 

 

Lezha është një nga 61 Bashkitë e Republikës së Shqipërisë, e pozicionuar në veri-perëndim të vendit. Bashkia përbehet nga 10 Njësi Administrative (Lezhe, Shëngjin, Shënkoll, Zejmen, Kallmet, Dajç, Blinisht, Balldre, Kolsh, Ungrej) dhe ka nje popullsi prej 113535 banorë (Sipas regjistrit te gjendjes civile me 1 janar 2020) ku rreth 60,000 jetojnë në Qytetin e Lezhës, dhe një sipërfaqe prej 508.4 km2.

Qyteti i Lezhës-Qendër Qarku e Prefekturë me të njëjtën emër është themeluar në vitin 385 para erës së re nga Dionizi i Sirakuzës. Gjatë tërë periudhave, qyteti i Lezhës ka luajtur rol të veçantë në historinë Iliro-Shqiptare.

Vetë pozicioni gjeografik ku shtrihet qyteti, së bashku me rrethinat e tij, ka bërë, që Lezha që në lashtësi të jetë një ndër qendrat tregetare e plotiko-ushtarake më të rëndësishme.

 

Lezha, nëpërmjet Portit të Shengjinit, ka realizuar në shekuj shkëmbime të shumta në fusha të ndryshme ekonomike e kulturore me botën e jashteme, duke ndikuar kështu ndjeshëm në zhvillimin shoqëror.

Është kjo një ndër arsyet që, pikërisht në këtë qytet, në momente të caktuara të historisë sonë janë organizuar aktivitete politiko-kulturore të nivelit të lartë kombëtar, si : “Lidhja e Lezhës” në vitin 1444, “Kuvendi i Arbërit” në 1703. Është gjithashtu e dokumentuar se ky qytet, së paku që në shekullin e VIII-të para erës së re ka qenë i banuar pandërprerje nga popullsi iliro-arbreshe-shqiptare. Emri i tij ” Lisso” e “Lissuss” gjithnjë sipas studiuesve të fushës, është një ngjyrim linguistik i emrit të vjetër ilir “Lisi”. Pra, qyteti i Lezhës, edhe përpara kthimit në një koloni helene nga Dionisi i Sirakuzes, dëshmohet si vendbanim ilir. Mbi jetën ekonomike të Lissussit që në antikitet ka ndikuar fakti se ai ka qenë stacion hyrës i rrugës Shëngjin-Kosovë, rrugë e cila kalonte nëpër Zadrimë për Kukës e më tej.

 

Pas pushtimit romak Lissussi përmendet si “Municip”, duke vazhduar të ruajë të njëjtën vlerë ushtarake e administrative si baze detare në Adriatikun veriror. Emri i qytetit përmendet nga historianë grekë e latin para erës së re, përmendet në kronikat veneciane kur ishte në dominim të Republikës së Shën Markut, për të marrë rëndësi të veçantë në shekullin e XV-të, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- “Skënderbeu”, mblodhi këtu të parin Kuvend  të Princave shqiptarë dhe themeloi shtetin e parë mbi bazën e principatave. Gjatë periudhës së lavdishme, Lezha ka shërbyer si “Kryeqytet Diplomatik” i Arbërisë. Në këtë qytet vdiq dhe u varros Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti në vitin 1468. Memoriali, ndërtuar për të kujtuar këtë figurë të shquar kombëtare, tashmë është kthyer në një qendër pelegrinazhi e cila vizitohet çdo vit nga qindra turistë, vendas e të huaj.

Lezha shquhet për vlerat e saj historike e arkeologjike, për perspektiven mjaft premtuese në drejtim të zhvillimit të turizmit. Është e një rëndesie të madhe Kështjella Mesjetare e qytetit e ndërtuar me një stil të veçantë e me një pozicion tepër interesant. Gërmimet arkeologjike të kryera për rreth kalasë si dhe brenda mureve ilire flasin për vlera të cilat do t’i shtohen Lezhës, historisë e kulturës kombëtare në një të ardhme jo të largët në kohë.

 

 

Kuvendi Franceskan, themeluar nga vetë San Francesku i Asizit në vitin 1220 paraqet interes njohje e ka vlera historiko-kulturore-edukuese. Lezha ka edhe vlera të tjera. Ka lumin Drin, i cili e përshkon qytetin mes për mes, lumë i cili, në një vijë më pak se tre km e lidh këtë qytet me detin Adriatik. Pikërisht, në qendër të qytetit, pranë zonës arkeologjike, ka qenë i ndërtuar e funksiononte Porti Lumor, duke shërbyer për trasportin e mallrave në vende të ndryshme përtej detit. Ne mendojmë se riberja e këtij porti do t’ia rrisi vlerat historike dhe ekonomike qytetit tonë.

Lezha është vendi i qetësisë, këtu punohet e ndërtohet. Ka aktivitet tregetar por ajo qe bie menjëherë në sy është ritmi i lartë i ndertimeve. Qyteti i Lezhës  është edhe vendi i harmonisë fetare e sociale. Zonë me rend e qetësi të admirueshme për të gjithë. Bizneset dhe firmat e huaja të cilat ushtrojnë aktivitete në qytetin tonë janë akomoduar, sistemuar e ndjehen mjaft komod. Ato, as gjatë trazirave të vitit 1997 nuk e ndërprenë për asnjë çast veprimtarinë e tyre. Lezha si zonë e qytet dallohet edhe për dukuri të tjera pozitive. Duke qenë nën ndikimin e klimës mesdhetare, me ditë me diell mbi mesataren e vendit, zona shquhet për prodhimet bujqësore e blegtorale, sidomos për perimet e hereshme, për prodhimin e patates e të bostanit, të frutave e të tjëra produkte blegtorale.

 

Prodhime te tilla si vera “Kallmet”, rakia “Lezha”, mishi i gjelit të detit i racës së njohur ” Zadrima”, etj janë tashmë të njohura e vleresuar në vend e jashte tij. Vetë fakti që Lezha në të dy krahët rrethohet nga dy fusha pjellore, ajo e Zadrimës dhe e Bregut të Matit, ka në vetevete premisën e zhvillimit si të industrisë për sektorin, ashtu edhe të agroturizmit, i cili është në fillimet e tij premtuese. Dy lagunat e Lezhes, “Kune” e “Vain”, me siperfaqe rreth 1800 ha. Janë të njohura e të vleresuara në Mesdhe për florën e faunën e pasur që kanë.Gjenden pranë qytetit dhe lidhen me detin adriatik. Realisht, duke shprehur edhe opinionin e specialistëve dhe vizitorëve të ardhur nga vende të ndryshme, lagunat e Lezhës janë mjaft atraktive. Atje natyrshëm shkohet për një shëtitje në natyrë, për ajrin e pastër, aromën e pyllit e flladin e detit, shkohet për të shijuar bukuritë e natyrës së virgjër, shkohet edhe për gjueti sportive, peshku e shpendë të ndryshëm të egër, shtegëtare dhe stacionar.  Në Kune e Vain numurohen rreth 92 lloje shpendësh. Lezha është edhe nëe nyje e rendësishme trasporti. Përshkohet ky qytet nga të gjitha llojet e transportit: rrugor, hekurudhor dhe detar. Janë shkurtuar ndjeshem distancat si me kryeqytetin ashtu edhe me Durresin. Lezha lidhet edhe me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe Kosovën, rruga në ndërtim e siper, do të krijojë të tjera mundësi bashkëpunimi e shkembime në të gjitha nivelet në interes të shqiptarëve, të miqësisë dhe ekonomisë së tyre. Zhvillim të kënaqshëm në qytetin e Lezhës ka edhe sektori i arsimit, ai i kulturës dhe i sporteve.

 

Shpirti “konservativ”i banoreve të kësaj treve ka bërë që të ruhet ndër shekuj historia, tradita, gjuha, doket dhe vlerat e një qyteterimit, pjesë e rëndesishme e mbarë qytetërimit shqiptar. Në qytetin e Lezhes funksionon edhe Pallati i Kultures, qendër e rëndësishme në të cilin periodikisht zhvillohen aktivitete në interes të edukimit qytetar dhe për ruajtjen e vlerave kombëtare. Është bërë tashmë traditë organizimi në qytetin e Lezhës i Kuvendeve dhe festivaleve të Rapsodive dhe muzikës Folklorike. Biblioteka Publike e qytetit, institucion me vlerë për qytetarinë lezhjane, është një tjetër pikë referimi i kulturës tonë. E konceptuar e ndërtuar me arkitekturë të veçantë bashkohore, gjendur pikërisht në qendrën arkeologjike, dhe jo vetëm kaq, por e pasur me libra e literature tjeter artistike e shkencore, ka bërë emër në rajon e më tej.

Discussion about this post

Related Posts