Gjirokaster

Pasi kalon përmes Qafës së Muzinës, zbret në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Duke lënë në të majtë fshatrat e Dropullit, përpara shpaloset qyteti muze i Gjirokastrës, i ndërtuar në faqen lindore të Malit të Gjerë. Për shkak të arkitekturës, Gjirokastra quhet ndryshe “qyteti i gurtë” ose “qyteti i një mijë shkallëve”. Ai është një qytet i lashtë, me vendbanime të hershme, mbi të cilat më vonë u ndërtua një fortifikim që luajti rolin e bërthamës së qytetit. Shtëpitë e larta prej guri, të cilat ngjajnë me kështjella të vogla dhe komplekse monumentale arkitektonike, janë karakteristikë që e shquan veçanërisht dhe tërheq më së shumti vizitorët në Gjirokastër.

Objekti kryesor është kalaja e qytetit, e quajtur ndryshe edhe si kalaja e Argjirosë, nga e cila mendohet se mori edhe emërtimin Argjirokastro në vitin 1336. Në ambientet e kalasë gjendet Muzeu i Armëve, në të cilin janë të ekspozuara armë që prej periudhës së paleolitit e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo kala është më e madhja në të gjithë Shqipërinë. Ndër të tjera, këtu është kthyer në një traditë organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili zhvillohet zakonisht 1 herë në çdo katër vjet. Ky festival përbën ngjarjen më të madhe të folklorit shqiptar, në të cilin performojnë të gjitha krahinat e vendit, duke përfshirë edhe grupet shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e deri tek arbëreshët e Italisë.

 

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, mund të vizitoni edhe Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha. Në qytet ka disa shtëpi, të cilat njihen si monumente kulture, këtu përmendim: shtëpia tip kullë e Zekatëve, në lagjen Palorto, shtëpia e Skenduleve, për akomodim janë Kotoni (ish-shtëpia e Angonatëve), hotel “Kalemi” etj. Në qendër të qytetit, në sheshin e Çerçizit, gjendet edhe një bunker për mbrojtjen bërthamore, i ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, i hapur për t’u vizituar nga turistët.

Qyteti i Gjirokastrës shquhet edhe për gatimet e tij të veçanta, si: shapkati, laropi, lloje të ndryshme byrekësh, si dhe prodhimet e bulmetit të njohura në të gjithë Shqipërinë. Për vlerat e njohura arkitektonike, Gjirokastra gjendet në listën e UNESCO-s. Dy objekte me interes për t’u vizituar për vlerat historike që mbartin janë teatri i Sofratikës dhe Antigonea. Teatri i Sofratikës është një objekt arkeologjik, i cili i përket një qyteti të periudhës romake i shek. II p.e.s., i quajtur Adrianopol, me një kapacitet prej 4.000 shikuesish dhe 27 shkallësh.

Këtu ndodhet edhe pusi i Sofratikës, i cili ruhet pothuajse i plotë dhe është i trajtuar me gurë gëlqerorë. Antigonea është tashmë një Park Arkeologjik, i cili gjendet në krahinën e Lunxhërisë, në lindje të Gjirokastrës, pranë fshatit Saraqinisht. Ky është një qytet antik i shek. II p.e.s. (viti 296 p.e.s.). Mendohet se qyteti është themeluar nga mbreti Pirro i Epirit, i cili e quajti qytetin me këtë emër për nder të së shoqes, Antigonës. Rrënojat e qytetit antik ndodhen në një kodër, 600 metra mbi nivelin e detit.

 

Qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej 35 hektarësh. Turistët mund të vizitojnë gjurmë të murit rrethues, agoranë dhe stoan të qytetit, e cila është 59 metra e gjatë dhe 9 metra e gjerë. Për t’u përmendur është gjetja e një statuje të vogël bronzi 17 cm e lartë, e cila i takon perëndisë së detit, Poseidonit, si edhe sfinksit të Antigonesë.

Këto objekte gjenden të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë. 2 km në juglindje të fshatit Nepravishtë, i komunës Qendër Libohovë, ndodhet teqeja e Melanit. Ky objekt fetar daton që prej vitit 1869. Teqeja është ndërtuar mbi rrënojat e një kalaje të lashtë ilire dhe ka një pozicion mjaft të përshtatshëm për të mirëpritur vizitorët, që të shijojnë bukuritë natyrore.

 

E restauruar në vitin 1990, pranë ka tyrbe me kupolën karakteristike bektashiane. Në krahinën e Dropullit, pranë fshatit Sotirë, ndodhet monumenti natyror i quajtur Bredhi i Sotirës. Ai gëzon shkallën e tretë të mbrojtjes. Ka një sipërfaqe prej 1740 ha, nga të cilat 1600 ha sipërfaqe pyjore dhe 140 ha sipërfaqe produktive. Mbizotëron bredhi i Maqedonisë së Veriut, gjithashtu është i veshur nga dushqe, gështenja, panja e malit, mëlleza, shkoza, prralli, marja etj.

 

Fauna përfaqësohet nga gjitarët, si: derri i egër, kaprolli, ujku, dhelpra, lepuri, etj., ndërsa nga shpendët veçojmë thëllëzën e malit, rosën, shapkën, etj. Krahina e Dropullit, e cila popullohet nga minoriteti grek, është e njohur në gjithë vendin për kostumografinë mjaft të bukur popullore dhe vallet elegante.

Discussion about this post

Related Posts