Erseka, qyteza rrëzë të malit të Gramozit

Qyteti i vogël i Ersekës, me afro 8.000 banorë, gjendet në jug të Korçës, në një distancë prej 45 km. Ai përfaqëson qytetin më të lartë të Shqipërisë, i vendosur në një lartësi prej 1.050 metrash mbi nivelin e detit, në rrëzë të malit të Gramozit.

Erseka ka filluar të ngrihet si qytet në shekullin XVIII. Megjithatë, zbulimet arkeologjike tregojnë se kjo trevë ka qenë e banuar që në epokën e neolitit. Për t’u përmendur është gjetja e një vazoje të vogël me trajtë antropomorfe, e zbuluar në Kamnik. Ky objekt, ndër më të rëndësishmit e prehistorisë dhe antikitetit, është i ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Në Ersekë mund të vizitoni Muzeun Historik të rrethit. Në qendër të qytetit ndodhet Obelisku i Rilindësve Kolonjarë, i përuruar në vitin 1938, një vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Ndërsa zona pranë qytetit është e përshtatshme për të ushtruar gjuetinë, sidomos atë të derrit të egër, gjatë periudhës së dimrit.

Rrëzë qytetit të Ersekës ngrihet mali i Gramozit, i cili është një objekt natyror i vlefshëm për ushtrimin e sportit të alpinizmit dhe ngjitjeve malore. Në këtë rajon vlejnë për t’u përmendur dy liqenet akullnajore të Gramozit dhe Shelegurit, të cilat arrijnë një lartësi deri në 2.360 metra mbi nivelin e detit. Gjatë stinës së dimrit këto liqene ngrijnë.

Vetëm 2 km në afërsi të qytetit të Ersekës, në juglindje të tij, rrëzë shpateve të Gramozit, shtrihet fshati i Rehovës, i cili shquhet për shtëpitë e tij interesante, të ndërtuara me gur. Këtu bien në sy edhe gdhendje të ndryshme, kalldrëmet, etj. Rehova është një pikë e favorshme për ushtrimin e turizmit rural,  gjithashtu shërben si bazë për t’u ngjitur në malin e Gramozit.

Jo larg qytetit, në verilindje të tij, gjendet fshati i Starjes,  i cili ka emërtim sllav si rezultat i dyndjeve të ndodhura në shekullin VIII. Starja është e njohur për teqenë, e cila daton në vitin 1893. Po këtu, mund të përmendim edhe praninë e tyrbes së Hasan Zyko Kamberit, vjershëtor i shekullit XIX. Në veri të qytetit, në një distancë jo të largët, shtrihet fshati i Vodicës, ku, krahas ambientit të këndshëm rural, gjendet edhe kisha interesante e Shën Kollit, e cila daton nga viti 1799.

Duke zbritur drejt jugut, do të kaloni nëpër Qafën e Barmashit, e cila ndan Ersekën me Leskovikun. Kisha e Shën Mërisë, në fshatin Barmash, ndodhet jashtë lagjeve të banuara të tij, në oborrin e së cilës janë edhe varrezat e fshatit. Sipas mbishkrimit, kisha është pikturuar në vitin 1616. Monumenti përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.

Pranë Qafës së Barmashit pozicionohet fshati i Borovës. Këtu gjendet mauzoleu i 107 martirëve të këtij fshati, të cilët u ekzekutuan gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët gjermanë, më 6 korrik 1943. Pranë fshatit të Borovës mund të vizitoni edhe Kanionin e Borovës, i cili është një objekt natyror interesant.

 

Discussion about this post

Related Posts