E vizitoni Sarandën për herë të parë Atëherë nuk duhet të humbisni vizitën në Kalanë e Lëkurësit

Nëse vizitoni qytetin e bukur të Sarandës, është e pamundur që të anashkaloni apo të mos keni dëgjuar për Kalanë e Lëkursit. Kalaja e Lëkurësit ngrihet mbi një kodër dhe të ofron një pamje të mrekullueshme të qytetit, madje që atje duket sikur e ke Sarandën në pëllëmbë të dorës.

 

Kalaja e Lëkurësit është një kala e rrënuar në Lëkurës, vetëm pak km larg Sarandës.  Kalaja është në një pikë strategjike mbi një kodër me pamje nga qyteti i Sarandës, në juglindje të qendrës së qytetit dhe tashmë është kthyer në një vend qëndrim për të gjithë kalimtarët.

 

Brenda kalasë ndodhet një restorant në të cilin turistët kalojnë disa orë relaksuese. Në këtë restorant mund të gjeni gatimet tradicionale të zonës së jugut dhe jo vetëm.

 

Kalaja e Lëkursit gjithashtu është kthyer edhe në një destinacion për çiftet që kurorëzojnë dashurinë e tyre duke zhvilluar ceremonin e dasmës në ambient të hapur apo duke shkrepur disa fotografi me në sfond pamje të mrekullueshme që të ofron ky vend.

 

Nga aty  mund të shikohet i gjithë qyteti i Sarandës, si dhe ishujt e Ksamilit. Kalaja ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet në formën e një piramide.

 

Nga kullat ruhet më mirë kulla e qoshes jug–lindore e cila në gjendjen e sotme ka një lartësi 7 m që arrin në lartësinë e dyshemesë së katit të dytë.

 

Kulla drejtëkëndshe ndodhet në murin perëndimor. Katet e para të kullave rrethore kanë shërbyer si depo dhe janë pajisur me fërngji të vendosura rreth 1.20 m larg njëra- tjetrës. Nga pozicioni i vendosjes së kullave del qartë se drejtimi i kontrollit të kështjellës ishte deti.

 

Në këto ditë të nxehta vere nëse jeni me pushime ne jug të vendit ju rekomandojmë që të vizitoni këtë pikë turistike dhe të merrni me vete aparatin fotografik, pasi fotot që mund të shkrepni do të kenë një pamje të mrekullueshme e veçanërisht në perëndimin e diellit!

Discussion about this post

Related Posts