Destinacioni që kemi zgjedhur kësaj here për të gjithë miqtë dhe lexuesit e Triptoalbania.al është Driloni.
Driloni ose Voloreka siç e quajnë Pogradecarët është një park kombëtar natyror shumë i bukur dhe me një peisazh që do tju mahnisë.
Ky atraksion turistik që ndodhet vetëm pak km nga Pogradeci, gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e turistëve që preferojnë të kalojnë pushimet mes liqenit dhe ajrit të pastër.
Sapo hyn në rrethin jug-lindor të Pogradecit, do të ndeshesh fillimisht me një fshat mjaft të njohur, të lashtë dhe nga ku nis edhe rrugëtimi i gjatë për në Drilonin të rrethuar nga liqeni i Ohrit dhe të mbuluar nga një gjelbërim dhe një ajër i pastër freskie, aq i domosdoshëm në verë.
Pasi ke ecur në një rrugë përgjatë vijës liqenore, një udhëtim me një pamje fantastike, do të zbresësh për të shijuar një bukuri natyrore që të mahnit me bukurinë që natyra, por edhe njerëzit me përpjekjet e tyre kanë bërë të mundur që vizitorët e Drilonit të përjetojnë pushime mjaft të këndshme dhe relaksuese pranë liqenit dhe pranë pyllit të gjelbëruar, me freski, me bukuri natyrore dhe me një natyrë çlodhëse e ushqim të bollshëm dhe shumë shijues si peshku.
Ky destinacion është pushtuar gjate këtij sezoni turistik nga vizitorë të ndryshëm , të njëjtën gjë bëra dhe unë.
Por nuk janë vetëm turistet shqiptare ata qe zgjedhin Drilonin për të kaluar pushimet e tyre, por ka edhe mjaft turistë të huaj, të cilët ngelen pa fjalë nga bukuria e këtij parku.
Një nga gjërat që duhet të bëni patjetër është xhiroja me varkë, për ta parë këtë park nga të gjitha anët. Nëse nuk e bëni, gjithandej do të shikoni varka që shëtisin nëpër ujin e qetë të liqenit, që kalojnë poshtë urave të rregulluara më së miri dhe me një arkitekturë mjaft të soditshme për syrin.
Sikur most ë mjaftonin të gjitha këto që përmenda më sipër, një fllad veror të freskon në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ushqimi i freskët dhe I shijshëm që mund të konsumohet në lokalet përreth e bëjnë këtë park të vogël buzë mrekullisë së natyrës të jetë një destinacion mjaft i preferuar, ku do donit të riktheheshit sërish e sërish…
Discussion about this post