“Bukuroshja e fjetur” pret të zgjohet nga ju

Nën sipërfaqen e Alpeve shqiptare fshihet një botë magjike me skulptura, të krijuara nga vetë natyra, ajo është Shpella e Radavcit, apo ndryshe siç e quajnë “Bukuroshja e fjetur”,  ku ka një bukuri të veçantë dhe mahnitëse.

Bukuroshja e fjetur, gjendet pranë burimit të Drinit të bardhë, 11 kilometra larg qytetit të Pejës. Hyrja e shpellës është e orientuar nga veri-lindja, e cila gjendet në lartësinë mbidetare prej 578 metra. Si monument i rrallë, është vënë nën mbrojtje në vitin 1983, si monumente natyrore.

 

Shpella është e gjatë 2.1 kilometra mirëpo, vizitorët mund të vizitojnë vetëm rreth 300 metra gjatësi, ku në brendësi të saj ka tri galeri, (galerinë hyrëse, qendrore dhe e vaskave). Shpella është e dekoruar me stalagmite dhe stalaktite më përbërje mermeri dhe gurë gëlqere dhe në brendi të saj ka edhe liqene të vogla.

Shpella e Radacit, veçohet edhe në aspektin “arkitektonik” sepse paraqitet si objekt banimi i krijuar nga natyra. Njoftimin e parë për këtë shpellë e ka dhënë studiuesi J. Petroviç. Ndërsa arkeologu M. Garashanin e konsideron këtë shpellë si vendgjetje të sigurtë të epokës së paleolitit

Të gjithë vizitorët, duan të dijnë se si është krijuar Shpella, e këtë më së miri e shpjegon ciceroni i cili gjendet në hyrje të shpellës duke i shoqëruar vizitorët duke ju treguar rreth krijimit të Shpellës.

Shpella, është krijuar kryesisht nga rrjedha e Drinit të Bardhë, që dikur kalonte nëpër këto korridore por, me kohë uji ka ndryshuar rrjedhën e tij dhe uji nuk kalon më. Si rezultat i rrjedhës së ngadalshme të ujit janë krijuar edhe vaskat të cilat edhe njëherit paraqesin  edhe pjesën më të veçantë të shpellës. Shpella ka dy hyrje të ashtuquajtura hyrja ftohtë dhe hyrja e ngrohtë.

Hulumtimet e para për shpellën e Radavcit kanë filluar përafërsisht rreth viteve  60-të, prej ekspertëve jugosllav, ku pjesëmarrës në këto hulumtime kanë qenë edhe disa bjeshkatarë të shoqatës “Gjeravica” në Pejë.

Pastaj, në vitin 2002, kanë filluar hulumtimet e para nga speleologët e shoqatës “Aragonit”. Kurse, në vitin 2006, këtyre hulumtimeve u janë bashkëngjitur edhe speleolog nga shtetet e Evropës, nga Çekia, Sllovakia dhe Polonia, edhe pse hulumtimet vazhdojnë, duke u organizuar ekspedita të ndryshme me speleolog nga vende të ndryshme të botës.

Për “Bukuroshën e fjetur”, është hulumtuar edhe nga arkeologët vendas të cilët kanë vërtetuar se, mijëra vite më parë, kjo shpellë ishte e banuar. Po ashtu duhet përmendur se në brendi të shpellës jetojnë katër lloje të lakuriqëve, e të cilët jetojnë ndaras në hapësirat e kësaj shpelle.

Atëherë, “Bukuroshja e fjetur”, pret të zgjohet nga ju. Është shumë atraktive dhe e veçantë që do të duhej ta vizitoni.

 

Discussion about this post

Related Posts