Brodi, perla jugore e Kosovës

Në mbi 2200 metra lartësi mbidetare dhe i rrethuar nga male shkëmbore të larta, fshati karakteristik i Brodit ruan gjithçka në një origjinalitet të paprekur.

Fshati i komunës së Dragashit, që ndodhet pak më shumë se një orë larg nga Prizreni, numëron rreth 900 shtëpi të ndërtuara fare pranë njëra-tjetrës, për të cilat turistë të huaj thonë se iu kujtojnë stilin e ndërtimit të shtëpive të fshatrave të vjetër italianë.

Investimet në infrastrukturë viteve të fundit kanë shtuar numrin e turistëve nga thuajse të gjitha vendbanimet shqiptare, meqë fshati  gjendet afër kufirit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

 

Brodi është destinacion për të pasionuarit e natyrës, ecësit e shtigjeve, kuriozëve të lashtësisë, shijuesve të adrenalinës e aventuristëve të skijimit.

Terreni është i përshtatshëm për të gjitha këto aktivitete, prandaj edhe është funksionalizuar qendra skitare, si një ndër më të rejat në Kosovë. Në këtë qendër është edhe ski-lifti i cili ofron mundësi dhe kushte edhe për skijim gjatë natës.

 

Edhe nëse jeni në pikë të korrikut, në Brod temperatura mesatare është 15 gradë Celcius, prandaj ngjitja në këtë fshat nënkupton freski. Por, dimrit ka borë me bollëk në kepa që ju mrekullojnë me pamjen e tyre. Muaji më i ftohtë në fshatin jugor është janari me  -10  gradë Celcius. Ndërsa, reshjet mesatare vjetore janë 1160 milimetra.

Përkundër se turistët mund edhe të habiten se si mund të jetohet në një terren e klimë kaq të ashpër, Brodi është mjaft i populluar me 207 banorë për kilometër katror. Megjithëse, stinën e dimrit një pjesë dërrmuese e tyre mërgojnë drejt vendeve europiane.

 

Brodi gjendet në rajonin e Gorës dhe popullsia e tij është nga komuniteti goran. Ky komunitet është i popullarizuar për fanatizmin e treguar ndaj kulturës së tij.

Zanati i goranëve në kulinari është karakteristika më e njohur e tyre, të cilën e kanë marrë me vete edhe në vendet ku kanë shkuar, por recetat më origjinale mbesin në Gorë dhe s’mund të gjenden kund tjetër në Kosovë dhe përtej saj.

 

Përtej bjeshkëve dhe brenda fshatit, në festat e banorëve mikpritës shfaqen krenarisht veshja dhe muzika e lashtë e tyre. Muzika tradicionale popullore gorane përfshin një vallëzim me dy ritme e quajtur kolo, e cila shoqërohet me muzikë instrumentale dhe rrallë shoqërohen me këndim.

Discussion about this post

Related Posts