Bredhi i Hotovës ndodhet në jug të Shqipërisë pak kilometra nga qyteti i Përmetit, dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë së Jugut.
Në vitin 1996 është shpalkur “Park Kombëtar” dhe sot ky park vizitohet nga qindra turistë vendas dhe të huaj.
Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora por dhe në verë ku mund të shijoni freskinë e tij.
Pamja madhështore e parkut të shfaqet nga hyrja e luginës së Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës.
Në Bredhin e Hotovës mund të shkosh me çdo lloj mjeti pavarësisht se rruga nga kthesa e Piskovës është e paasfaltuar. Por udhëtimi me mjete fuoristrada të krijon lehtësinë për të hyrë sa më thellë në pyll.
Bredhi i Hotovës konsiderohet një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme në vend dhe është një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me Bredh Maqedonas.
Aty përveç bredhit gjen disa lloje panjash, shkozë të zezë, ilqe, dëllinjë të kuqe dhe të zezë, mjedër etj.Në lartësinë 800-1000 metra takohen livadhe e vende të sheshta të rrethuar nga drurë shekullorë të përmasave të mëdha. Parku formon një kurorë të gjelbërt gjigante me kontraste të dukshme nga njëra-tjetra.
Bota shtazore gjithashtu është mjaft e pasur. Nga gjitarët takohen ariu i murrmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj. Por krenaria e këtij parku dhe përfaqësuesi tipik i tij është kaprolli, të cilin mund ta shohësh në livadhe dhe lëndina në thellësi të pyllit.
Discussion about this post