Bovilla, një mrekulli turistike shumë pranë Tiranës

Turizmi sportiv i fundjavave është kthyer në një tendencë në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë.

Liqeni i Bovillës është një nga destinacionet kryesore të Tiranës sa u përket aktiviteteve në natyrë dhe turizmit të aventurës.

Ngjitjet, ecjet në natyrë dhe barbekjutë janë aktivitetet kryesore.

I ndodhur 14 km larg Tiranës, liqeni ka një sipërfaqe 4.6 km2 dhe është formësuar nga diga e ndërtuar në hyrjen e kanionit të lumit Tërkuzë më qëllim furnizimin e qytetit me ujë.

Dy shpatet e maleve mes të cilëve ndodhet diga, të dy me lartësi mbi 1200 m, bashkë me liqenin krijojnë një pamje mahnitëse për vizitorët. Ndonëse të notuarit në liqen nuk lejohet, ju mund të zhvilloni një sërë aktivitetesh të tjera sportive. Të apasionuarit pas pedalimit mund të praktikojnë çiklizmin malor, ndërsa ata që dëshirojnë më shumë adrenaline mund të tentojnë një nga iteneraret për ecje, ngjitje apo kacavjerrje të shkëmbinjve. Dhe nëse mendoni se nuk ia dilni dot mos u frikësoni, pasi iteneraret kanë grada të ndryshme vështirësie.

Liqeni i Bovilles furnizohet nga një pellg malor shumë i madh dhe ky fakt e bën atë një pasuri me vlerë të paçmuar për strategjitë e zhvillimeve të sotme e të ardhme, si në rrafshin shtetëror ashtu dhe në atë kombëtar.

Ky vend mahnitës është përfshirë në itinerarin e disa tour operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë.

Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrëses në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. Në këtë zonë në fundjavë zhvillohet turizmi i aventurës, ku operatorët turistik ofrojnë një itinerar të sigurt për ecje, ngjitje dhe kacavjerrjen nëpër shkëmbinj.

Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga ato të thjeshtat deri tek ato më të vështirat, për tu dhënë mundësi të gjithëve që të praktikojnë këto lloj sportesh.

Një vëmendje më e madhe për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe asaj turistike drejt këtij destinacioni të afër për çlodhje,do të bënte që shumica e kryeqytetasve ta kishin një destinacion të fundjavës.

 

 

Discussion about this post

Related Posts