Triptoalbania.al e cila tashmë është kthyer në udhërrëfyesin tuaj turistik, kësaj here ka menduar një destinacion të veçantë, për të gjithë të pasionuarit pas natyrës, ecjes në natyrë apo sporteve të tjera. Mundësinë më të mirë për të gjitha këto aktivitete e gjejnë padiskutim në Bjeshkët e Nemuna, pikërisht në Majën e Hajlës. Këto bjeshkëgjenden në Alpet Shqiptare në kufi midis Kosovës dhe Malit të Zi dhe shtrihen në Grykën e Rugovës dhe vendburimit të lumit Ibër në veri-perendim dhe i përket rajonit të Pejës. Mjafton te bën një ecje për në Majën e Hajlës dhe padyshim që do dashuroheni me natyrën e bukur dhe do t’i vlerësoni mrekullitë që i ka krijuar natyra.
Zakonisht, të gjithë ata që duan të ngjiten në këtë majë, shkojnë në mënyrë të organizuara nga guida turistike nga qytete të ndryshme të Kosovës. Por ju mund të zgjidhni të shkoni edhe me miqtë tuaj pa qenë të detyruar të shkoni me këto guida. Maja e Hajles, fillon nga fshati Pepiq dhe konsiderohet si ecje e lehtë ose mesatare, ku shtegu nëpër të cilin do të kaloni është shteg i dukshëm livadhor me ngjitje graduale dhe natyrë tipike bjeshkësh me pamje të mahnitshme piktoreske. Duhet të keni parasysh se, nëse vendosni të ngjiteni vetë në Bjeshkë, ju duhen disa orë ecje me pushime të vogla gjatë rrugës ku mund ta shfrytëzoni kohën edhe për të bërë fotografi, që do t’ju zbukurojnë albumin e kujtimeve tuaja
Përgatitjet që do të duhej ti bëni për të rrugëtuar deri në Hajlë, ju duhet me patjetër të keni ushqim me vete, ujë mund edhe të gjeni rrugës për ta shuar etjen, gjithashtu ju duhet veshja adekuate për hiking me atlete të përshtatshme për një ecje në një terren të tillë. Sapo të vendosni për ta shkelur këtë maje në lartësi mbi detare prej 2403m, ju do të argëtoheni tej mase gjatë rrugës që do të bëni deri sa të ngjiteni lartë.
Ecja zhvillohet nëpër Bjeshkët e Rugovës, ndërsa nga Hajla do keni mundësi ti shihni bjeshkët e Rozhajës, Andrijevicës, Kollashinit në Veri si dhe ato të Deçanit në Jug. Për shkak të lartësisë së theksuar të Hajlës është e zhveshur, ndërsa pjesët më të ulëta posaçërisht kah burimi i lumit Ibër me vegjetacion të bujshëm në të cilën jetojnë shtazë të egra (si ujq, arinj etj).
Këto male për shkak të bukurive të pakrahasueshme të peisazhit, janë bërë destinacion i bjeshkatarëve por edhe i qytetarëve të cilët dëshirojnë të pushojnë nga përditshmëria monotone. Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë pjesë, është stina e dimrit, ku bora aty gjithmonë mbulon të gjithë malin rreth 2 metra dhe pamja që të jep është me të vërtetë e pa përshkrueshme, prandaj ju duhet ta vizitoni vetë, sepse në secilën stinë të vitit, ajo ka hijeshinë e saj katër stinore me llojllojshmërinë e ngjyrave.
Discussion about this post