Berat

Qyteti muze i Beratit, njëkohësisht pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndodhet në një distancë prej 120 km larg nga Tirana. Ai është një ndër qytetet më të vjetra të Shqipërisë, me një moshë 2415-vjeçare. Berati qytet përbën një prej shembujve më të spikatur të arkitekturës tradicionale në vend. Berati përfaqëson një thesar të historisë dhe kulturës sonë kombëtare.

Ekzistenca e qytetit fillon që në shekullin VI-VI p.e.s. si një vendbanim ilir. Më pas, u shndërrua në një qytet kështjellë, i njohur me emrin Antipatrea. Zgjerimi i mëtejshëm i kështjellës ndodhi sidomos gjatë periudhës së sundimit të familjes feudale të Muzakajve. Brenda saj u ndërtuan kisha me afreske dhe ikona të çmuara, si edhe një shkollë kaligrafie. Kalaja vijon të jetë e banuar edhe në ditët e sotme, një fakt sa interesant, edhe i veçantë i këtij qyteti. Ajo çfarë tërheq më tepër vëmendjen e vizitorëve në Berat, janë lagjet karakteristike të Mangalemit, Goricës dhe Kalasë, në të cilat bien në sy fasadat e shtëpive me dritaret e shumta e të vendosura njëra mbi tjetrën. Për këtë veçori, Berati quhet ndryshe edhe “qyteti i një mbi një dritareve”. Një monument arkitekturor i qytetit është Ura e Goricës, e cila lidh lagjen e Mangalemit me atë të Goricës. Kjo urë me harqe i përket vitit 1780. Objekte të tjera për t’u vizituar janë Muzeu Etnografik, i cili gjendet në një ndërtesë me çardak e shek. XVIII; galeria private e artit “Edward Lear” (mban emrin e piktorit anglez, i cili, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, në shekullin XIX, ka vizituar edhe Beratin).

Kanionet e Osumit

Duke vazhduar udhëtimin drejt luginës së lumit Osum, pikërisht pranë fshatit Radesh, në rrjedhën e përroit të Çorovodës, gjendet shpella e Pirrogoshit, e cila është edhe shpella më e madhe e Shqipërisë. Ajo ka një gjatësi prej 1.500 metrash dhe hyrja e saj ka një gjerësi prej 5 metrash. Pjesa më interesante është korridori i madh, ku gjenden forma të shumta karstike. Shpella përfundon me një pus të thellë, ku qëndrojnë kolonitë e lakuriqëve të natës. Aty pranë gjendet kanioni i Gradecit, i cili është pa dyshim më i bukuri i luginës së Osumit, me një gjatësi prej 4 km dhe vende-vende i ngushtë, me gjerësi prej 1.5 metrash. Lartësia e tij është 40 metra dhe shpatet bien thikë mbi lumë. Drejt jugut do të prezantoheni me kanionet e tjera të Osumit. Këto kanë gjatësi prej 15 km dhe gjenden 3 km në jug të qytetit të Çorovodës. Ka vende të përshtatshme për plazh, ku mund të përmendim Varishtën. Kanionet e Osumit janë të famshme për zhvillimin e sporteve ujore të raftingut.

 

Discussion about this post

Related Posts