Arti i përpunimit të verës

Një traditë mjaft të vjetër ka vreshtaria dhe prodhimi i verës. Arti i përpunimit të verës në vendin tonë njihet qysh në lashtësi. Kjo e fundit ka lulëzuar në brigjet jugperëndimore të Ballkanit, që 3 mijë vjet më parë. Ilirët kanë pasur një traditë të lashtë në kultivimin e hardhisë dhe në prodhimin e verës. Mbi lashtësinë e kultivimit të vreshtave, si dhe prodhimit të verës flasin zbulimet arkeologjike në Lin (Pogradec), Tepë (Elbasan) dhe Zgërdhesh (Krujë) ku janë gjetur enë të ndryshme që përdoreshin për verë. Gjeografi i vjetër, Straboni, duke përshkruar Ilirinë, thotë: “Ky vend është i ngrohtë dhe frytdhënës, sepse është plot me ullishta dhe vreshta të mira. Ilirët eksportonin në Romë verë, që e mbanin në enë druri”. Për zhvillimin e vreshtave dëshmojnë monedhat e Dyrrahut dhe të Apolonisë, si dhe amforat që përdoreshin për transportin e verës, të gjetura në varrezat ilire të Çimanakut në Kukës, në kalanë ilire të Xibrit (Mat), si dhe në qytezën Ilire të Gajtanit (Shkodër). Gjatë sundimit bizantin (shek. VII – VIII) vreshtaria filloi të bëhej veprimtaria kryesore ekonomike, ku vera sillte të ardhura nga eksporti. . Sot, në vreshtarinë tonë, është rritur gama e varieteteve të rrushit, gjë që i ka hapur një fushë të gjerë prodhimit të verërave të ndryshme, të kuqe dhe të bardhë.

Ndër verërat e kuqe mund të përmendim:

– Shesh i Zi (Tiranë, Durrës).

– Kabërnet dhe Merlot (Berat, Lushnjë, Përmet, Vlorë etj.)

– Kallmet (Shkodër, Peshkopi), Pino Nero dhe Mavrud (Leskovik, Shkodër, Lushnjë).

Ndër verërat e bardha përmendim:

Shesh i Bardhë (Tiranë), Riesling (Durrës) etj.

Ndër pijet alkoolike me ngjyrë mund të përmendim konjakun “Skënderbeu”, i cili ka fituar çmime të ndryshme në konkurset ndërkombëtare. Pozicioni gjeografik i vendit tonë bën që të kultivohen jo vetëm të gjitha llojet e frutave e të perimeve, por gjithashtu favorizon shumëllojshmërinë e rritjes së gjësë së gjallë, të butë dhe të egër, si dhe një shumëllojshmëri shpendësh të buta dhe të egra. Kjo është arsyeja që Shqipëria ofron për turistët përherë e më shumë diçka specifike, tradicionale, pjesë të jetës së përditshme, gjë të cilën e përmbush më së miri kuzhina e vendit tonë në të gjitha krahinat.

Discussion about this post

Related Posts