Ansambli i Rruges “JUSTIN GODARD”- Qendra Historike

Rruga Muze apo qendra historike e Vlorës është padyshim copëza me e dashur e Historisë që fsheh “Kryeqyteti I Shqiptarëve” , mes godinave të projektuara me nje arkitekturë klasike Italiane dhe te restauruar rishtaz qyteti mbart një pjesë të vet identitare. Por cilët janë gurët e mozaikut të Vlorës, në zemër të tij
Rruga Muze nga viti 1912-1921 emërtohej rruga “Liria”. Ky emër ka marrë shkas nga mbërritja në këtë rrugë e delegatëve të Pavarësisë. Përpara se të emërohej me emrin “Liria”, rruga njihej me emrin si “Rruga e kafeneve”.
Në vitin 1921, me vendim të Këshillit te Bashkisë së asaj kohe, u emërtua rruga “Justin Godard”, për nder të politikanit francez me të njëjtin emër, i cili ka qenë një mik i shqiptarëve.
Çdo godinë në të dyja anët e rrugës Muze ka historinë e saj, por ajo që binte më tepër në sy për nga madhështia por edhe për nga ngjarjet interesante që e karakterizojnë, ka qenë godina e Sharrajve.
Kjo godinë është ndërtuar  nga fisi i Sharrajve në vitin 1880, dhe është prishur 100 vjet më vonë rreth viteve ’80-të. Kur kjo godinë u ndërtua për herë të parë, në fasadën e saj u montua edhe një orë diellore, që në atë kohë  ishte ora e vetme e Vlorës.
Vlerat më të mëdha kjo shtëpi i merr në vitin 1912, kur u ngrit Flamuri në Vlorë, pasi në këtë shtëpi u strehuan 3 ministra; Gjithashtu në 27 Nëntor 1912, në këtë shtëpi fjeti Ismail Qemali.

Në këtë godinë në vitin 1914, u instalua komanda e kontrollit të kufijve.
Në hyrje të rrugës Muze, është edhe sot e kësaj dite një godinë njëkatëshe, e cila ka qenë libraria e parë e Vlorës, e hapur në vitin 1936 nga një grup njerëzish të kulturuar, si mësues Ibrahim Kushta, publiçisti Ibrahim Shyti, i cili njihet si fotograf i vjetër i Vlorës dhe si një sekretar i Ismail Qemalit, ku ka bërë mjaft fotografi të vjetra të Vlorës.
Në këtë rrugë nuk mund të harrojmë aspak një godinë e cila rreth viteve 20-30-të, quhej hotel “Europa”, ku më vonë rreth viteve ’60-të përfundoi si biblioteka e rinisë.
Gjithashtu rreth viteve ’20-të, ’30-të, ky hotel ishte mjaft luksoz për kohën, dhe kanë qëndruar mjaft personalitete të larta të botës, gjithashtu këtu pinin kafen paria e Vlorës dhe kryesisht bejlerët e Vlorës, ku të binin në sy 12 filxhanë floriri, posaçërisht për bejlerët. Në këtë lokal nuk mund të hynte kushdo.
Një godinë që bie në sy në këtë rrugë, ka qenë edhe shtëpia e Bezhanëve, ku ka qenë e vendosur dhe “Banka Bezhani”. Në vitet ’50-të aty ka jetuar portieri i famshëm italian, Xhakomino Bozeli.
Në godinën e Bezhanajve, për vite me radhë ka banuar edhe mjeku Vasil Dhimitri, i cili në vitet ’30-të ka qenë drejtori i spitalit shtetëror të Vlorës.

Ne kete rruge ndodhet edhe ajo qe sot vlonjatet e njohin me emrin “Godina Bombej”.

Kjo godinë, në formën e një pallati, në vitet ’20-të, u ndërtua hotel, tepër luksoz për kohën. Ka qenë pronë e Xhemil Bej Vlora dhe quhej hotel “Neë York”.

 

Më vonë mori emrin hotel “Korça”, dhe më pas hotel “Gjirokastra”, në varësi të pronarëve që e merrnin me qera ose e blinin.
Duke vazhduar me godinat në rrugën Muze “Justin Godar”, mund të flasim edhe për një godinë të madhe, e cila ka qenë pronë e Mit Stratit, pasi rreth viteve ’20,’40-të kanë banuar shumë personalitete të fushave të ndryshme, p.sh.doktor Kaçelano nga Himara, të cilit në këtë rrugë i është bërë një pritë në vitin 1943, duke e vrarë, vrasje që bëri bujë të madhe në Vlorë. Po në këtë shtëpi të madhe të Mit Stratit, ka jetuar rreth viteve ’40-të pediatri, Manxoni.
Nuk duhet harruar gjithashtu edhe mjeku i dëgjuar, doktor Llukani.

Ngjitur me godinën e mësipërme ka qenë shtëpia e Aliko Çelës, ku në vitet ’40-të ka banuar mjeku okulist nga Sardenja, Manconi.
Gjithashtu në një godinë dykatëshe që ekziston edhe në ditët e sotme, ka banuar mjeku kirurg Italian, Spinelli, në vitet ’40-të.
Në rrugën muze eshte edhe shtëpia e një personaliteti, e avokatit Avdul Kuçit. Ai përmendet si një avokat me shumë sukses e emër të mirë në jetën politike, historike e patriotike të viteve ’20 – ’40-të.
Ka qenë hartues i tekstit të ultimatumit, që Mehmet Selimi, nga Mallkeqi, i dorëzoi gjeneral Piaçentinit, në Vlorë, në Luftën e Vlorës. Avokat Avdul Kuçi, u caktua nga Mbrojtja Kombëtare, kryetar i Gjykatës Speciale, gjykatë që dënoi të gjithë bashkëpunëtorët me Italinë.
Përkarshi kësaj godine, ka qenë një farmaci e Nasho Qirjakos, ndërkohë që përmendim dhe farmacitë e doktor Fadil Kotori, Hito Rexhepit, që kanë kontribuar në Vlorë me ilaçe gjatë Luftës së Vlorës.

 

Me këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur një godinë në rrugën Muze ku vlonjatët e dinë mirë se rreth viteve ‘50-’60-të ka banuar fotografi grek, Vasil Kareco, që në vitin 1864 u riatdhesua në Greqi. Në këtë shtëpi kanë jetuar pas vitit 1944, si të internuar, sipërmarrësit italianë që ndërtuan godinat më të bukura të Vlorës të viteve ’20-’40-të, Manai me të birin, inxhinierin e talentuar Ugo Manai, ku dhe sot e kësaj dite të bie në sy zyrat e kësaj shoqerie italiane TEMVA. Këta ndërtues ndërtuan edhe disa nga ndërrmarjet në Vlorë në vitet ‘30-’40-të.
Manai i ka fillimet e veta si një karrocier i luftës së parë në Vlorë dhe kur Italia  iku nga Vlora, ai përvetësoi disa karroca ushtarake dhe për këtë arsye bëri disa muaj burg për përvetësim.
Po në rrugën Muze është edhe një godinë dy katëshe me dritare nga rruga në të cilën ka banuar Marigo Posio qëndistarja e Flamurit Kombëtar . Marigo Posio ishte nga Korça, por i shërbeu Vlorës sikur të ishte një vlonjate e vërtet.

Discussion about this post

Related Posts